Policia e Fierit ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Mësohet se dy të rinj janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
“Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Fier gjatë patrullimit në orët e para të mëngjesit, në dalje të qytetit Fier, ka konstatuar një automjet “Renault” që kryente lëvizje të dyshimta dhe porsa ka parë makinën e policisë është larguar me shpejtësi”, thuhej në njoftimin e uniformave blu.
Menjëherë pas kësaj, patrulla është vënë në ndjekje të makinës. Gjatë ndjekjes, duke përfituar nga errësira njëri prej pasagjerëve, 29 vjeç, ka mundur të largohet. Ndërkohë shoferi dhe një pasagjer, të dy 22 vjeç, janë arrestuar në flagrancë. Gjithashtu, sipas policisë të tre të rinjtë janë nga qyteti i Durrësit.
Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me silenciator së bashku me karikator me fishekë, si dhe një dozë me lëndë narkotike kanabis.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 29-vjeçarit, Policia e Fierit në bashkëpunim me Policinë e Durrësit kanë gjetur 40 doza me lëndë narkotike kanabis sativa. Specialistët po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe qëllimit të lëvizjen së këtyre personave të armatosur nga Durrësi në Fier.
Gjithashtu vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjetër që mund të jenë të përfshirë në veprimtari të mundshme kriminale./abcnews.al