Manuela Delilaj, qitësja shqiptare ka arritur të grumbullojë në total 565 pikë në Lojërat Olimpike, duke u pozicionuar në vendin e 37 nga 53 sportiste pjesëmarrëse në këtë disiplinë. Manuela ka shkuar në Olimpiadë me ftesë nga organizatorët, duke parë rezultatet e saj në garat ndërkombëtare.
55-vjeçarja u shkëput prej disa vitesh nga ky sport pas largimit jashtë vendit. Në një lidhje me Skype nga Tokio për “Abc-ja e mëngjesit”, Manuela foli për këtë eksperiencë. “Kam 40 vjet si qitëse por u shkëputa për 16 vjet. Dhe pastaj e fillova sërish.
Lëvizja në një vend tjetër është normale derisa ambientohesh me gjuhën dhe gjërat, është një vështirësi më vete. Jam e kënaqur që jam kthyer përsëri dhe nuk mund të shkëputem dot. Sporti për mua është kulturë sepse është dhe qetësi dhe ndjej një kënaqësi të pamasë kur shkoj në poligon.”, tha ajo. /abcnews.al

