Me lot në sy, lule në duar dhe foto, prindërit, familjarë e të afërm të Martin Canit, kujtuan 14 vjeçarin, i cili u vra një vit më parë pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.
Në këtë përvjetor, prindërit e Martinit, por, dhe qytetarë e aktivistë, kërkuan drejtësi për jetën e prerë në mes të 14 vjeçarit, 18 nëntorin e vitit 2024.
Përveç drejtësisë, nëna e Martinit pati një kërkesë për institucionet që emri i të birit të përjetësohet duke ia vendosur palestrës, pasi 14 vjeçari ishte i apasionuar pas sporteve.
“Të vendoset një stol në shkollë me emrin e Martinit, ose emri i palestrës”.
Dhimbjes së familjarëve të Martinit, iu bashkuan edhe bashkëmoshatarë të tij, të cilët lexuan fjalë zemre në kujtimet me të miturin.
Martin Cani u qëllua me thikë nga një bashkëmoshatar një vit më parë, duke ia ndërprerë jetën në mes. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 25 vite heqje lire për të miturin Mario Përlleshaj, i cili dyshohet se qëlloi për vdekje Martinin dhe plagosi Luis Meçen. Megjithatë sipas Kodit Penal dhe atij për të Miturit, dënimi nuk mund t’i kalojë më shumë se 12 vite./abcnews.al


