Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas plagosjes së policit të Kosovës në Veri, dhe sulmeve që po u bëhen gazetarëve atje.
“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, ka shkruar presidentja në Facebook.
“Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë”.
Osmani ka thënë që policët dhe ushtarët e Serbisë nuk do të lejohen kurrë në territorin e Kosovës.
“Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë”.
“Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”/klankossova.