Të paktën 13 persona janë shtypur për vdekje apo janë asfiksuar ndërsa tentonin të dilnin nga një klub nate në Lima të Perusë.
Trazirat u krijuan pasi policia u fut në biznesin në fjalë për të shpërndarë të pranishmit.
Sipas raportimeve, klubi i natës ishte i hapur në kundërshtim me masat e vendosura nga autoritetet për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Veç viktimave, të paktën gjashtë persona të tjerë janë lënduar, përfshirë edhe tre policë.
Në momentin që policia u fut në klubin e natës, në ambientet e brendshme ndodheshin rreth 120 persona, të cilët tentuan që “t’ia mbathnin”.
Ministria e Brendshme, më anë të një njoftimi për shtyp deklaroi se turma tentoi të largohej drejt një dere të vetme dhe kjo u bë shkak për tragjedinë.
Lidhur me ngjarjen janë vënë në pranga 23 persona.
Peruja ka urdhëruar mbylljen e bareve dhe klubeve të natës që prej marsit dhe ka ndaluar grumbullimet me shumë njerëz. /abcnews.al/