EMRI/ Në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohet 31 vjeçari në Laç

schedule14:07 - 9 Tetor, 2024

schedule 14:07 - 9 Tetor, 2024

Një 31 vjeçar, i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, është arrestuar në një lokal në Laç. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet edhe një pistoletë me municion luftarak.

Ndaj 31 vjeçarit me dy mbiemra Amarildo Ndreca (Kola), gjykata e Lezhës kishte dhënë masën “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me dy të tjerë ka tentuar që të vrasë me armë zjarri një person në fshatin Rrilë. Ngjarja ka ndodhur me 6 mars të këtij viti.

Nën hetim janë vënë edhe 6 shtetas që ndodheshin në lokal, nën akuzën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga kontrolli fizik i kryer në momentin e ndalimit, 31-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, ndërsa gjatë kontrollit në lokalin ku u kap ai, u gjet një pjatë me mbetje të dyshuara të lëndës narkotike kokainë./abcnews.al