Gjendja shëndetësore e një prej grevistëve që kundërshton punimet në burimin e Sinecit në Lumas është përkeqësuar. Mësohet se Ymer Shuaipi, 67 vjeç ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore dhe sipas mjekut ai nuk duhet të vazhdojë të qëndrojë më në grevë.
Sipas tij, Shuaipi ka kaluar para dy javësh paralizë faciale për shkak të problemeve me tensionin.
“Ka luhatje të tensionit, ka dhimbje kohe. Para dy javësh ka kaluar paralizë faciale, merr dhe mjekim dhe në këto kushte, për mendimin tim e ka të pamundur të vijojë. Ka ilaçe për të pirë, dhe disa i ka për t’i pirë esëll e disa pas buke dhe është e pamundur që ai të vazhdojë.”
Me lot në sy, 67-vjeçari tha se nuk donte ta braktiste grevën, por shokët i sugjeruan që për të mirën e shëndetit të tij të largohet.
“Më vjen keq për këta shokët. Faktikisht unë doja të dilja i vdekur që këtej, por grupi vendosi që të mos më lënë të vdes këtu. Dhe, doktori më tha që je i pamundur, prandaj që mora vendim personalisht që të largohem,” u shpreh ai. s.b./abcnews.al/