Nga Roland Beqiraj
Filantropia në Korçë ka nisur shekullin e XVII. Kulmoi në të XIX me Anastas Lakçen veprat e tij të bamirësisë i përqafuan dhe tregëtarë e intelektualë të tjerë. Një prej më të spikaturit ishte Thoma Trutulli. Përgjatë viteve 1927 deri në 1937 ndërtoi vepra kulturore, arsimore dhe shëndetësore.
Këto godina të shkatërruar janë skeleti i spitalit të parë në Korçë. U inagurua në vitin 1934 dhe ju dhurua qeverisë së Zogut. Nga viti 1960 deri 10 vjet më parë shërbeu si senatorium për të sëmurët me probleme në mushkëri.
Godinat e rënuar më pas janë kthyer në strehën e endacakëve dhe përdoruesve të nakotikëve.
Një VKM që mban datën 26 tetor 2022 do të ndryshojë fatin e objektit. Qeveria ndryshoi administrimin e ndërtesës dhe truallit përreth. Nuk do të jetë më në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, por Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me qëllim ndërtimin e Polit Universitar.
Për hulumtuesin Erget Cenolli, ndërtesa mban vlera historike dhe së bashku me veprat e tjera të ndërtuara nga Thoma Turtulli, tregon nivelin ekonomik të korçarëve dhe zhvillimin e qytetit.
“Lindi aforizmi nëse prishet Korça, Selaniku nuk e ndërton dot. Ndërsa nëse prishet Selaniku, Korça mund ta ringrejë nga e para. Kjo tregon forcën ekonomike dhe kulturore që kishin tregëtarët korçarë. Midis këtyre tregëtarëve shkëlqeu, Thoma Turtulli u mor me tregëti. Ai nuk e pati qëllim në vetvete po pjesë të planeve të tij të zhvillimit të qytetit të Korcës. I solli qytetit disa vepra të cmuara, në drejtim të kulturës ishte kinemaja “Majestik” që e ndërtoi sipas modelit të La Scala, ku rinia korcare përjetoi filmat e koncertet e kohës. Ishte biblioteka e qytetit nga më të pasurat në Shqipëri me rreth 30 mijë vepra, ishte liceu një shkollë nga më të mirat e kohës. Ishte dhe spitali me të gjitha kushtet.”
Spitali do rimëkëmbet. Gjurmët e së kaluarës nuk do humbin pasi ky vend do vihet në shërbim të studentëve. Objektet e tjera të ndërtuara nga filantropi Turtulli janë funksionale dhe sot.
Godina e kinemasë është restauruar disa herë. Vazhdon të kryejë të njëjtin funksion dhe emri është po ai, “Majestic”. Në godinën e liceut marrin dije studentët e Shkencave Sociale, të Universitetit të Korçës. Biblioteka ruan të njëjtën strukturë dhe funksion. Ajo frekuentohet nga fëmijët. Drejtoresha e saj Jorida Tollkuçi na njeh me disa fakte historike.
“Një përfaqësi e rinisë së asaj kohe i kërkoi filantropit Thoma Turtulli për të ndërtuar një bibliotekë, që sic thuhej në ato vite djalëria të ikte nga kafeneja dhe të shkonte tek libri. Kjo u bë realitet më 28 nëntor të vitit 1930 ku u bë inagurimi i godinës. Thoma Turtullit ju akordua nga Mbreti Zog titulli ” Komandar i Skënderbeut”. Drejtori i parë ishte patroiti dhe veterani i arsimit, Nikolla Lako. Kjo u quajt ” Biblioteka Popullore , Korcë”, funksionoi si e tillë deri në vitin 1975. Në këtë vit ndahet biblioteka publike dhe biblioteka e fëmijëve. Në këtë ndërtesë qëndroi fondi për fëmijë. Kjo bibliotekë mori emrin “Fotino Postoli”. Pas viteve 1990 mori emrin e filantropit ” Thoma Turtulli”.
Në hollin e kësaj biblioteke janë vendosur dhe bustet e filantropit Thoma Turtulli e bashkëshortes së tij Athinasë.


