Vala e dytë e koronavirusit për Indi ishte vdekjeprurëse. Deri më tani numri i viktimave ka arritur në 200,000 persona.
Stafi mjekësor ndodhet përballë një beteje të vështirë, jo vetëm për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe rasteve me Covid, por edhe për shkak të kolapsit që ka përfshirë sistemin shëndetësor.
Infermierja Viveki Kapoor, në një intervistë për BBC tha se kjo pandemi ka ndryshuar jetën e saj.
“Unë jam infermierë në njësinë e kujdesit intensiv në repartin Covid. Që kur filloi pandemia shumë punonjës u larguan nga puna, disa për shkak të pagës së ulët dhe disa të tjerë nga frika e rrezikut me të cilën duhet të përballeshin”, është shprehur ajo.
Vala e dytë e koronavirusit ka sjellë një numër të lartë të humbjes së jetëve, ndërsa spitalet në Delhi janë tejmbushur me pacientë.
“Ngarkesa është pesëfishuar. Të gjithë infermierët tani janë duke punuar me orë shtesë. Ne jemi gjithmonë në orar, por asnjëherë nuk largohemi nga puna brenda orarit. Unë jam infermiere preh 22 vitesh. Në të kaluarën jam përballur edhe me fatkeqësi, por kjo situatë është e pashembullt. Tani jam aq e lodhur sa në fund të ditës mund të fle gjumë kudo, s’më duhet më as shtrati”, ka thënë Kapoor për BBC.
“Mjekësia është profesioni më fisnik, pacientët tani i shohim si familje. Sapo një pacient i ri shtrohet në spital, personi që takojnë është infermierja dhe ata krijojnë një lidhje të veçantë me ne”, është shprehur ajo.
Infermierja tregon se gjatë valës së parë në Indi shpesh përballeshin me pacientë të moshuar, por fatkeqësisht tani është e trishtueshëm kur sheh njerëz të prekur të moshës 15 apo 17 vjeç.
Ajo shpreh lumturi kur një pacient fiton betejën, por ndjesia kur një pacient humb jetën është mbytëse thotë Kapoor, ndërsa thekson se vdekja e të rinjve të thyen zemrën.
“Covid-19 ka kthyer në tension jo vetëm punën tine, por edhe jetën time e ka bërë shumë stresues. Po ashtu edhe bashkëshorti im i cili është mjek ka qenë i sëmurë dy javët e fundit. Por dashuria e familjes , fqinjëve, miqve të mi më jep forcë të eci përpara.
/abcnews.al/