Në Europa League “vendosin” anglezët, UEFA përcakton arbitrin e finales Sevilla-Roma

schedule14:54 - 22 Maj, 2023

schedule 14:54 - 22 Maj, 2023

Pas përcaktimit të arbitrit në finalen e madhe të Champions League, UEFA ka prezantuar ditën e sotme dhe arbitri kryesor e finales së Europa League, mes Sevilla e Roma, finale që do të zhvillohet në “Puskas Arena”, në Budapest të Hungarisë, mbrëmjen e 31 majit.

Si gjyqtar kryesor i ndeshjes është përcaktuar anglezi Anthony Taylor, me 44-vjeçarin që drejton ndeshje të nivelit ndërkombëtar që prej vitit 2013. Deri më tani këtë sezon, Taylor ka arbitruar 6 ndeshje të Champions League, si dhe ndeshjen e parë të gjysmë-finales së Europa League, mes Roma e Feyenoord.

Në arkivat e tij, mund të përmendet arbitrimi i Superkupës së Evropës në vitin 2020, mes Bayern Munich e Sevilla, si dhe finalja e Ligës së Kombeve të vitit 2021, mes “iberikëve” të Spanjës dhe “gjelave” të Francës.

Taylor do të ndihmohet në finalen e Europa League nga dyshja angleze, Gary Beswick e Adam Nunn, ndërsa gjyqtar i katërt dhe ndihmës arbitër rezervë do të jenë Michael Oliver dhe Stuart Burt. Në dhomën e VAR komandën do e marrë Stuart Atwell, i cili do të mbështetet nga Chirstopher Kavanagh e Bastian Dankert. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!