Diego Simeone është rikthyer të flasë rreth së ardhmes së tij. Trajneri argjentinas drejton Atletico Madrid prej vitit 2011. Ai dhe djemtë e tij kryesojnë La Liga-n dhe janë kualifikuar në 16 ekipet më të mira në Champions.
Eliminimi nga Cornella (skuadër e divizionit të tretë të futbollit iberik) trishtoi Simeonen, i cili u shpreh se nuk e di nëse do të jetë në krye të “Colchoneros” sezonin e ardhshëm.
“Bisedoj shpesh me drejtuesit e klubit, kur fitojmë dhe kur humbasim. Ka gjithmonë harmoni mes nesh. Unë e përsëris shpesh shprehjen që mund të më shkarkojnë nesër.
Jam i lumtur tek Atletico Madrid. Vijmë nga një vit tranzicioni dhe çdokush ka të drejtë të mendojë çfarë të dojë. Sigurisht që disa persona janë të mbushur gjithmonë me ligësi“, deklaron Simeone.
Ndërkohë, sfida ndaj Athletic Bilbaos është në dyshim. Takimi është programuar të luhet nesër në orën 16:15 në “Wanda Metropolitana”. Spanja është goditur nga dëbora dhe një mot i ftohtë, teksa Madridi është qyteti më i prekur.
Zhvillimi i përballjes së ditës së shtunë është në dyshim, gjithmonë nëse klima nuk zbutet dhe situata nuk përmirësohet. /abcnews.al