Dy mjete lundruese janë bllokuar në plazhin e Ksamilit dhe Llamanit gjatë kontrolleve nga Policia Kufitare përgjatë vijës bregdetare. Kurse, drejtuesit e tyre janë gjobitur me 10.000 lekë të rinj, secili.
Njoftohet se në plazhin e Ksamilit, një gomone që drejtohej nga K. P., banues në Ksamil u ndalua pasi drejtuesi nuk dispononte dokumentacionin përkatës. Mjeti lundrues u bllokua në portin e Sarandës.
Po ashtu, shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi, kanë konstatuar në plazhin e Llamanit, një tjetër mjet lundrues tip skaf, me drejtues shtetasin R. P, banues në Vlorë, i cili po ashtu, nuk dispononte dokumentacionin përkatës dhe është bërë shoqërimi dhe bllokimi i tij në portin e Himarës.