Në Çisinau për kualifikimin historik, “legjionarët” përballë Moldavisë në një përballje “jetë a vdekje”

schedule10:15 - 17 Nëntor, 2023

schedule 10:15 - 17 Nëntor, 2023

Nga Isildo Musta

Në orën 18:00, në “Zimbru Stadium” të Çisinaut, vendasit e Moldavisë do të presin “legjionarët” e Kombëtares tonë, në një përballje siç e quajnë ata “jetë a vdekje”, ku për të dyja skuadrat, të paktën deri më tani në deklaratat e bërë për mediat, i vetmi opsion është fitorja në fushën e blertë, fitore që për të dyja përfaqësueset duket jo pak e largët.

Vendasit vijnë të “karikuar” në maksimum në këtë sfidë dhe nuk “tremben” aspak nga “shqiponjat” tona, pavarësisht se jemi “koka” e grupit E. Në “Zimbru”, Moldavia ka arritur rezultate historike gjatë këtyre kualifikueseve, duke arritur të mundë Poloninë e Robert Lewandowski dhe t’i marrë një barazim Çekisë, me këta të fundit që kanë arritur të fitojnë edhe një herë këtë kompeticion, në vitin 1976, në atë kohë si Çekosllovaki, si dhe të dalë dy herë në vendin e 3-të, në edicion e vitit 1960 e 1980. Pra e thënë më shkurt, në Çisinau na pret një “ferr” i vërtetë.

Në krahun tjetër, Kombëtarja jonë po luan një “melodi të ëmbël” nën udhëheqjen e “maestro” Sylvinhos, teksa deri më tani numërojnë vetëm 1 humbje e 1 barazim në 6 sfidat e luajtuar në këtë fazë eleminatore, duke i dhënë fund epokës së një futbolli “të frikësuar” e mbrojtës e duke nisur një etapë të re për futbollin tonë, me një futboll “elektrizues”, të shpejtë në sulm e tepër të fortë në prapavijë.

Mirëpo, pavarësisht rezultateve fantastike, si fitoret 2 me 0 ndaj Polonisë, apo 3 me 0 ndaj Çekisë, sërish ne “ngecim” në transfertë, pasi në 3 ndeshjet e luajtura larg “folesë” së “Air Albania”, “shqiponjat” tona kanë arritur të fitojnë vetëm sfidën ndaj Ishujve Faroe, me rezultatin 1 me 3, teksa janë mundur me rezultatin 1 me 0, nga Polonia në Varshavë dhe arritën një barazim me “fat”, 1 me 1,  ndaj Çekisë falë “perlës” së Nedim Bajramit, me “fantazistin” tetovar, i cili lëshoi në minutën e 66’-të një “predhë” nga 24 metra distancë për të “shtangur” jo pak vendasit në Pragë, me këta të fundit, që ishin të bindur për fitoren ndaj nesh.

Megjithatë, siç theksuam edhe më lart, në “dyluftime” të tilla për “jetë e vdekje”, kurrë nuk i dihet, pasi të dyja ekipet kanë strategjitë e tyre për të fituar. Në njërin krah, kemi strategun e vendasve, Serghei Clesenco, i cili po ashtu si Sylvinho ka sjellë te moldavët frymën e grupit dhe shpirtin e lojës, me përfaqësuesen e këtyre të fundit, që le të themi bëjnë pak a shumë të njëjtën lojë, si ne, por me një diferencë, janë më të fortë në lojën në ajër.

Moldavia e ka bazuar të gjithë lojën e saj, në futboll “të pastër”, pa frikë, me kundërsulme të shpejta e të befta, mbrojtje të patrembur, e cila edhe pse “fut ujë” në disa raste sërish nuk e ul moralin e skuadrës dhe siç thamë pak më lart, përdorin mirë lojën në ajër, duke shfrytëzuar në maksimum çdo mundësi që i jepet, qoftë kjo goditje nga këndi apo goditje dënimi.

Në krahun tjetër, tekniku Sylvinho, paçka se shprehet se futbolli ynë është “puro” shqiptar, sërish duket të ketë implementuar te “legjionarët” pak nga “filozofia” e “legjendarit”, Johan Cruyff, si dhe nga “shpirti luftarak” latin. Nën drejtimin e brazilianit, Kombëtarja jonë shihet të bëjë një lojë të shpejtë, pa topa të gjata dhe pa egoizëm, me lojtarët që qarkullojnë topin gjatë gjithë kohës, identike, si loja e “katalanasve” të Barcelona, skuadër pjesë e së cilës Sylvinho ka qenë, madje ka arritur të fitojë edhe 2 trofe të UEFA Champions League, fillmisht në vitin 2005-2006 e më pas në vitin 2008-2009, me këtë të fundit që mund të thuhet se ishte fitore më e rëndësishme dhe që ka ndikuar edhe te loja e “legjionarëve” tanë sot.

Themi që ka ndikuar, pasi në atë kohë, trajner i “katalanasve” ishte “perfeksionuesi” i futbollit “tiki-taka”, Pep Guardiola, lojë të cilën, pavarësisht se “ngec” në disa raste, “shqiponjat” tonë kanë filluar ta përdorin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo gjë u pa më së miri në fushën e blertë të lojës në të gjitha fitoret e Kombëtares sonë, prandaj edhe sot nuk pritet asgjë më shumë e asgjë më pak nga “legjionarët” përveç se futbollit të bukur e të shpejtë, me pasime të shkurtra e kundërsulme të rrufeshme, pa llogaritur këtu perlat e “yjeve” të mesfushës, Jasir Asani, Nedim Bajrami e Kristjan Asllani, që pritet të jenë zgjedhja e parë e teknikut Sylvinho, për këtë sfidë, që braziliani e konsideron si një “finale”.

Pjesa tjetër e formacionin pritet të jetë e pandryshuar, me një ndryshim te skema, e cila kësaj here pritet të jetë pak më defensive, pasi tekniku brazilian mendohet se do të përdorë formulën 4-2-3-1, ku në portë nuk ka se si të mos jetë “shtatlarti”, Etrit Berisha, sidomos pas performancave fantastike, që 34-vjeçar po dhuron tek Empoli. Në krahët e mbrojtjes nuk ka ndryshime, ku në anën e djathtë është Elseid Hysaj e në krahun e majtë, super talenti, Mario Mitaj, me qendrën që do të mbulohet si zakonisht nga kapiteni Berat Gjimshiti dhe më në fund nga i “rikthyeri” nga dëmtimi, Ardian Ismajli.

Përsa i përket mesfushës, përpara mbrojtjes pritet të vendosen “tanku”, Ylber Ramadani, i cili do të shërbejë si një forcë shtesë në mbrojtje, por është edhe i aftë gjithashtu të nisë kundërsulme të rrufeshme, si dhe “magjistari” i mesfushës, Kristjan Asllani, i cili dita-ditës, si me fanellën e “zikaltërve” të Inter e po ashtu me Kombëtaren, po tregon se ka “brumin” e duhur për ta shkruar me gërma “të arta”, emrin e tij, në historin e futbollit. Më i avancuar pritet të jetë “fantazisti” nga Tetova, Nedim Bajrami, ndërsa Seferi, Cikalleshi dhe “sallaksi i hidhur” i sulmit, Jasir Asani pritet të plotësojnë repartin ofensiv.

Tashmë, gjithçka çka na mbetet është të presim orën 18:00, orë ku në “Zimbru Stadium” skocezi, William Collum do të fërshëllejë për të herë të parë bilbilin, për të nisur “dyluftimin” për “jetë a vdekje” të dy kombëtareve të voglë, por me ëndrra të mëdha, me Moldavinë, që kërkon për herë të parë kualifikimin në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor, ndërsa “legjionarët” kërkojnë për herë të dytë kualifikimin historik në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!