Në Çermenikë, banorët kanë nisur ta quajnë “nga të kuqe të zezë”

schedule19:16 - 3 Gusht, 2019

schedule 19:16 - 3 Gusht, 2019

Banorët nuk e thërrasin më si dikur “Çermenika e kuqe”, por për shkak të varfërisë dhe papunësisë e quajnë “Çermenika e zezë”. Abcneës ishte aty për të parë nga afër si jetojnë banorët.

Historia e qytetit të Librazhdit është e re, por trevat e tij kanë një histori te lashtë.

Gjurmët më të hershme të banimit gjenden që në periudhën e Gurit të Vjetër (Paleoliti).  E tillë është edhe krahina e Çermenikës.

Një zonë me 11 fshatra dhe 7 mijë banorë. Dikur ishte baza e Luftës Nacional Çlirimtare. Atje ku nënë Zyraja theri dhinë e vetme për  Enver Hoxhen. Mbas çlirimit nuk u investua vetëm se quhej “Çermenika e Kuqe” dhe vendasit krenoheshin me figurën e udhëheqësit. Të afërmit e “Nënë Zyrasë” morën disa bursa, por rrugë nuk u shtruan. Sot ata që banojnë aty i thonë “Çermenika e Zeze”.

Shpëtimi i vetëm është emigrimi. Nuk ka investime në bujqësi dhe as rrugë. Në të shumtën e kohës njerëzit lëvizin me kafshë. Ashtu transportojnë edhe ushqimet apo mallrat. Për të shkuar në spital në qytet zgjidhja duhet të gjendet nga vetë ata.

I vetmi që ngushëllon këta njerëz të braktisur është një mjek i papërtueshëm. U gjendet afër të moshuarve dhe mundohet të shkojë shtëpi më shtëpi.

Kjo krahinë e bukur por e mjerë për njerëzit, në gjysmën e parë të shek. XVII  kishte formën e vet të vetëqeverisjes, atë të Kanunit të Çermenikës.  Ligjvënësi popullor më i njohur në Çermenikë dhe jashtë saj ka qenë Mus Ballgjini nga fshati Gurakuq, prej të cilit, e drejta zakonore e Çermenikës, u quajt “Kanuni i Mus Ballgjinit”.
Në gjysmën e parë të shekullit XIX në Çermenikë shpërtheu një kryengritje e madhe kundër zbatimit të reformave të Tanzimatit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!