Nga Mentor Kikia
Pasi Komisioni i Posaçëm Parlamentar i mbylli hetimet dhe do të dorëzojë dy raporte në Kuvend, sytë janë tek SPAK-u për fatin e hetimit penal për çështjen e inceneratoravëe.
Kam qenë në dy programe televizive pas kësaj dhe moderatorët kanë bërë të njëjtën pyetje: Çfarë do të bëjë tani prokuroria?
Padyshim që dëshira e të gjithëve ne, është që të bëhët drejtësi. Të shkojë në burg kush ka ngjyer gishtin, siç tha edhe kryeministri. Por, prej disa ditësh kam lexuar në disa media lajme dhe analiza që na i trondisin realisht pritshmëritë pozitive.
Bëhet fjalë për arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për Ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, në fakt një seancë për rishikimin e vendimit, dhënë javën e kaluar.
Në vendim referohet si arsye për mbajtjen në arrest në burg të të dyshuarit edhe “shkalla e ulët e besimit të qytetarëve tek drejtësia, e veçanërisht e institucioneve ndërkombëtare”. Ndaj dhe i dyshuari duhet të mbetet në burg si dëshmi se drejtësia e re po e lufton korrupsonin, dhe kështu përmirësojmë edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”
Kërkova dhe gjeta vendimin e Shkallës së Parë të SPAK-ut, për këtë çështje, 16 Dhjetor 2021, dhe ja çfarë lexova:
“Në situatën aktuale, ekziston një opinion mosbesues nga opinioni shoqëror por edhe nga institucionet ndërkombëtare, ndaj organeve shtetërore, dhe në veçanti ndaj organeve të drejtësisë, të lidhur me luftën kundër korrupsionit.
Pasojat e këtij opinioni mosbesues, kanë ndikuar dhe ndikojnë në imazhin e vendit në raport me lirinë ekonomike dhe shtetin ligjor, si dhe në zhvillimin ekonomik të shoqërisë dhe të aktiviteteve ekonomike private” – thuhet në arsyetimin e vendimit.
Dmth i arrestuari mund të sigurohej edhe me ndonjë masë tjetër, deri në përfundim të hetimeve, por duhet të qëndrojë në burg që të rrisim besimin e opinionit tek drejtësia dhe të rregullojmë imazhin e vendit në sytë e ndërkombëtareve.
Po sikur nuk është detyrë e drejtësisë kjo çështja e imazhit. Dhe, mbi të gjitha, kush tha se imazhi ynë i rënë përtokë, u rregulloka duke mbajtur njerëz në burg, qoftë edhe në mënyrë të sforcuar, që populli në rrugë dhe diplomatët në zyra të mendojnë se drejtësia jonë e re po lufton korrupsionin?
Në 2 janar, Apeli e lë sërish në burg ish ministrin Koka, duke arsyetuar mes te tjerave se “ai mund të kryejë të njëjtat krime për të cilat akuzohet, ndaj refuzohet arresti shtëpiak”. Po si do të bëjë sërish korrupsion Lefter Koka dhe si do ta shpërdorojë detyrën, kur nuk është më ministër e nuk ka asnjë funksion zyrtar?
Çështja e inceneratorëve dhe atyre qe e gatuan është sot çështja më e ndjeshme publike e politike, dhe unë prej muajsh kam qene e jam pjesë e atyre që kanë shkruar e folur ku kanë mundur, për të bërë drejtësi mbi këdo. Por a do të bëjë dot drejtësi një drejtësi, që mendon se një njeri duhet mbajtur në arrest me burg e jo në arrest shtëpie, psh, për të rregulluar imazhin tonë?
Kjo është më e rëndë sesa të mos e arrestosh fare një të dyshuar për korrupsion. Sepse imazhi dhe besimi tek drejtësia nuk përmirësohen duke mbajtur një të dyshuar në burg, por duke dhënë drejtësi të barabartë mbi këdo, pavarësisht kush është dhe se çfarë mendojnë të tjerët.
Tek e fundit, askush prej nesh që ulërasim kundër korrupsionit natë e ditë, nuk ka asnjë dëshirë që thjeshtë të shikojë njerëz në burg. Ne nuk dëshirojmë një drejtësi që të mbajë njerëz në burg për inventar, që të dëshmojë se po lufton korrupsionin. Jo, ne dëshirojmë një drejtësi që të bëjë drejtësi. Që do të thotë se, nëse Lefter Koka apo kushdo tjetër, mund të hetohet nën një masë tjetër, si arrest shtëpie apo në gjendje të lirë, të mos ketë frikë ta japë këtë masë. Apo, nëse Koka mertion të jetë aty ku është, të mos hezitojë që për të njëtën akuzë, të dërgojë atje edhe nja dy ministra të tjerë që kanë firmosur të njëjtin dokument që ka çuar Kokën në burg.
Këtu nuk shtrohet çështja e një individi, qoftë ky edhe ish minsitër, por tek drejtësia që po ngrejmë.
Nëse kjo drejtësi, ka marrë përsipër të bëjë Drejtorinë e PR në Ministrinë e Jashtme dhe të Integrimit, atëherë ne mund ti hapim negociatat me BE-ne, por kemi humbur shpresën për të ngritur drejtësinë e vërtetë. Dhe ky është një lajm shumë i keq.
/abcnews.al