Nga Hergi Llupi
Me numrin identik të pikëve në renditjen e Serie A, Roma dhe Milan do të ndeshen mbrëmjen e sotme në “Stadio Olimpico” të Romës.
Pas humbjes së tyre kundër Atalanatës në javën e kaluar, kryeqytetasit lejuan kuqezinjtë të barazojnë nivelin në tabelë dhe tani të dy kanë nevojë për pikë për të bërë të mundur kualifikimin e tyre në Champions League sezonin e ardhshëm. Forma e Romës ka qenë në ngritje periudhën e fundit, ku verdhekuqtë e Mourinhos u ngritën hap pas hapi në krye të top ekipeve të tabelës dhe gjithashtu kaluan në fazën tjetër të Europa League, në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.
Në vitin 2023, Roma ka mbajtur portën shtatë herë të paprekur në tetë ndeshje të ligës si mikpritës, rekordi më i mirë i tillë në pesë ligat më të mirë të Evropës, dhe ata kanë mposhtur Sampdorian dhe Udinesen 3-0 në dy ndeshjet e tyre të fundit në Serie A në Olimpico. Rekordi i fundit i klubit kryeqytetas kundër Milanit nuk premton veçanërisht mirë, pasi ata kanë humbur katër nga gjashtë takimet e fundit të ligës me skuadrën e Milanos dhe nuk kanë fituar asnjë.
Problemi i vetëm i skuadrës së Mourinhos është forma e dobët ose dëmtimet që kanë pësuar sulmuesit, ndërsa nga ana tjetër Milani ka rigjetur një Leao të papërmbajtshëm në këtë fund sezoni dhe portugezi po bën gjithçka mjaft mirë duke ndihmuar Milanin të vazhdojë rrugëtimin e tij në Champions League, por edhe përpara në renditjen e Serie A.
Dëmtimet nuk e kanë lënë kokën e Mourinhos t’i pushojë dhimbjen, pasi sot në mbrëmje do të bëjë pa disa lojtarë kryesorë. Karsdorp, Llorente, Smalling dhe Wijnaldum janë të konfirmuar që nuk do të jenë në dispozicion, ndërsa Dybala mbetet ende në pikëpyetje. Milani ndërkohë nuk do të ketë vetëm Ibrahimovic dhe Pobega.
Milan momentalisht ndodhet në vendin e katërt me 56 pikë, po aq sa Roma e cila ndodhet në vendin e pestë. Në pesë ndeshjet e fundit në Serie A, Milan ka mundur të regjistrojë 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, ndërsa Roma në pesë ndeshjet e fundit ka marrë 3 fitore dhe 2 humbje.
Roma pritet të startojë sot nga minuta e parë me Rui Patricio në portë, Mancini, Kumbulla dhe Ibanez në mbrojtje. Celik, Matic, Cristante dhe Spinazzola priten të vendosen në mesfushë, ndërsa Pellegrini, Belotti dhe El Shaarawy në sulm.
Nga ana tjetër, Milani pritet të startojë me “magjikun” Maignan në portë, ndërsa Theo, Tomori, Kjaer dhe Calabria në mbrojtje. Mesfusha me Tonalin, Bennacer dhe Krunic, ndërsa sulmi me Leao, Giroud dhe Diaz./ h.ll/abcnews.al