“Në 2024 do të bëjmë anketime në qendrat e kujdesit të klientit”, Karakaçi: Kemi një plan masash për festat e fundvitit

schedule20:51 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 20:51 - 1 Dhjetor, 2023

Admistratori i OSHEE, Enea Karakaçi ka deklaruar në “Sheshi i Dollarit” se ka pasur ulje të ankesave për faturimet. Ai ka zbuluar se ka në plan që në vitin 2024 të bëjë anketime në qendrat e kujdesit ndaj klientit në mënyrë që të kuptojnë idenë dhe pëlqyeshmërinë e tyre.

“Një nga elementët që mat pëlqyeshmërinë e klientëve, janë ankesat e konsumatorëve për keqfaturimin. Unë shoh çdo muaj një raport dhe shoh që çdo vit ka një ulje të ankesave. Kjo vjen dhe për shkak të rritjes së cilësisë dhe faturimet bëhen në një kohë më të mirë padyshim. Normalisht që kompania ka fituar eksperiencë dhe ka një ulje të ankesave.

Unë kam shumë dëshirë dhe do e implimentojmë në vitin 2024, ku ne do të kemi anketime në qëndrat e kujdesit ndaj klientit. Të marrim informacion dhe vlerësim nga klientët, si e shohin ata, çfarë kanë dëshirë, si i përgjigjemi ne.  Unë kam shumë dëshirë që të jemi shumë të hapur me klientin dhe fokusi jonë kryesor duhet të jetë ky që të kuptojmë cila është ideja e këtyre klientëve”.

Sa i përket festave të fundvitit, Karakaçi ka thënë se do ketë një plan masash dhe do të krijohen grupe pune, të cilat do të jenë në dispozicionin e konsumatorit 24 orë.

“Festat e fundvitit janë periudha që konsumatorët mblidhen në shtëpi dhe ngarkesa është shumë e lartë e konsumit. Po ashtu, po të kemi fatin jo të mirë që temperaturat të jenë të ulëta, edhe konsumi rritet shumë më tepër sepse përfshihet dhe ngrohja.

Normalisht që ne kemi hartuar një plan masash për periudhën e festave të fundvitit. Gjithë strukturat janë në terren, tashmë numrat e call center funksionojnë 24 orë. Pra, nuk janë më në orare të kufizura”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!