“Pas 1981 u morën masa në rast lufte”, historiani: Në veri kishte një depo me armatime për UÇK, pajiseshin 25 mijë shqiptarë të Kosovës

schedule21:17 - 16 Tetor, 2024

schedule 21:17 - 16 Tetor, 2024

Historiani Maringlen Kasmi thotë se pas vitit 1981, shteti shqiptar mori masa ushtarake në rast lufte në Kosovë. I ftuar në emisionin “Real Story’, duke folur për akuzat ndaj Enver Hoxhës se shiti Kosovën, ai tha se në atë kohë, kishte një depo në veri të Shqipërisë me pajisje ushtarake për UÇK-në.

Sipas tij, masat ishin marrë për të paktën 25 mijë shqiptarë të Kosovës për të luftuar.

“Ne shkojmë drejt një gjykimi me qëllim për ta përdorur historinë dhe për ta politizuar për synime politike dhe në përfitime monetare. Kur gjykojmë për personazhet historikë, shihet qëndrimi ndaj çështjes dhe interesave kombëtare dhe këto janë pikat e dobëta kur politikisht apo në mënyrë të padrejtë personazhe historikë goditen. Në rastin e Kosovës, mund të thuhet se Enver Hoxha mund të jetë ndër ata që ka bërë më shumë për çështjen e Kosovës dhe kjo e ka shpjegimin. Në radhë të parë, nga natyra e tij ishte i prirur për ta shtuar territorin e tij. Nga ana tjetër, për 45 vjet për sa i përket integritetit territorial, ruajtja e tij, padyshim që për këtë sistem ishte e shenjtë. Është edhe koha, kur shqiptarët në pikëpamje të identiteti shqiptar forcohen.

Nëse do të godasim personazhe, Zogut i gjenden po ashtu gjëra të tilla që nga mosqëndresa e 7 prillit, apo mosorganizimi dhe lidhja e varësia ekonomike me Italinë. Çështja e Kosovës gjatë luftës ka qenë delikate dhe shumë e përdorur kundër Partisë komuniste dhe Fronti Nacional Çlirimtar. Por e vërteta është që sa i përket asaj që thuhet se Enver Hoxha e shiti, thuhet që po kaq e vërtetë është që gjatë luftës Tito është shprehur se do ta respektonte parimin e Vetëvendosjes. Pra, sipas kartës të Atlantikut, ku Kosova do të vendoste vetë nga do të vinte, nuk e respektoi jo vetëm Tito por as fuqitë e mëdha dhe fati i Kosovës në ’48 ishte i mbyllur, që kufiri i Jugosllavisë nuk ndryshon dhe Kosova ndenji brenda kufirit të Jugosllavisë.

Rreziku që ishte padyshim në këto kohë ishte nëse edhe Shqipëria do të kthehej në një republikë të shtatë të Jugosllavisë, çka nuk u realizua për shkak të prishjes së Titos me Stalinin, ku padyshim Enver Hoxha pati shansin për ta kundërshtuar dhe shpëtuar nga ky rrezik. Kosova nuk mund të përdoret gjithmonë dhe duke marrë argumente anti historike për të goditur njërën apo palën tjetër. Për çfarë goditet sot Rama? Goditet si mik i Vuçiç. Ka gjithmonë një tendencë për të përdorur Serbinë sot, Jugosllavinë dje. Gjërat duhen parë më shtruar dhe nuk duhet përdorur historia për të arritur qëllime politike apo individuale.

Pas 1981, u morën shumë masa nga shteti shqiptar në disa drejtime për Kosovën. E para, në aspektin e organizimit të një zbulimi nga sigurimi i shtetit të Kosovës për të mbledhur informacione dhe për të qenë të përgatitur. U morën masa edhe ushtarakisht. Përveçse planeve të mirëfillta ushtarake sa i përket të një rasti, qoftë edhe marrjes së Kosovës në rast lufte, duhet theksuar se në një nga qytetet e veriut ka qenë një depo me 25 mijë komplete luftarake që nga këpuca deri te armatimi vetëm për UÇK, e cilësuar me këtë titull. Pra, për të dalë te ajo që UÇK ka qenë term i krijuar më herët, shteti shqiptar asokohe kishte marrë masa të që të armatoste 25 mijë kosovarë nëse do të ishte nevoja që të luftonin.”, tha historiani./abcnews.al