SHQIPËRI– Stili i jetesës është shkak, sipas studimeve, për shtimin e obezitetit dhe shumë sëmundjeve kronike si ato kardiovaskulare, metabolike, neurodegjenerative, diabeti e të tjera. Kjo ka bërë që Shtetet e Bashkuara, pas më shumë se tre dekadash, të ndryshojnë piramidën ushqimore. Ajo përdoret zakonisht në qendra komunitare, ku regjimi ushqimor menaxhohet nga institucionet, por është gjithashtu një sugjerim për të gjithë për një ushqyerje të shëndetshme.
“Deri para ca kohësh flitej për kosin pa yndyrë, për produkte pa sheqer. Unë do të thosha që të gjitha proceset nëpër të cilat kalon një ushqim, ku duhet t’i hiqet një substancë, procesimi dhe substancat që i shtohen, kthehen shumë herë më të dëmshme për organizmin se niveli i yndyrës tek qumështi apo tek kosi. Kështu që duhet padyshim të kalojmë në ushqimet e plota dhe padyshim në yndyrna të mira: vaj i ullirit, po ashtu dhe tek yndyrnat e tjera si avokado, arra. Pastaj çdo individ individualizohet bazuar mbi shportën ushqimore të zonës ku është.”, tha mjekja nutricioniste, Albanan Daka.
Nga një model që sugjeronte si bazë drithërat, karbohidratet dhe shmangie të yndyrnave, piramida është përmbysur duke i dhënë përparësi proteinave, ushqimeve të plota, perimeve dhe yndyrnave të shëndetshme.
“Para disa vitesh teorikisht thuhej se proteina duhet të ishte 0.8-1 gram për kg peshë, pra për një person 70 kg – 70 gramë proteinë, duke e çuar proteinën nga 0.8 në 1 në 1.4–1.6, në disa raste dhe më shumë tek sportistët.”, tha ajo.
Ka eliminuar totalisht, hap shumë i madh, ushqimet e procesuara, për të cilat studimet e fundit japin një korrelacion shumë të madh mes dëmit që ushqimet e procesuar bëjnë për mbipeshën, obezitetin, ku marrin fillimin të gjitha sëmundjet kronike.
Udhëzimet e reja, sipas mjekëve, pritet të reduktojnë shumë probleme shëndetësore të shtuar në dekadat e fundit. Kjo është edhe për shkak të lidhjeve të gjetura mes shëndetit të zorrëve me shumë neurotransmetues që ndodhen aty dhe sëmundjeve të ndryshme/abcnews.al


