Ndryshon ligji për pasuritë e sekuestruara, në Shqipëri krimi i organizuar qarkullon rreth 1.5 mld dollar

schedule16:13 - 14 Shkurt, 2020

schedule 16:13 - 14 Shkurt, 2020

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar ndryshimet në projektligjin për sekuestrimin e pasurive të krimit. Agjensia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara kalon nga Ministria e Financave në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari sqaroi se ndër të tjera projektligji synon të mirë administriojë pasuritë e sekuestruara  rreth 20 vite më parë të cilat  kanë mbetur stok duke bllokuar ambientet e gjykatave dhe janë bërë jofunksionale.

“Agjencia mer një rol të shtuar duke u legjitimuar si palë, duke u bërë edhe më proaktive në proces. Agjencia me të drejtë mund ti drejtohet prokurorit për të urdhëruar me kërkesë përdorimin , tjetërsiminin e provave materiale që mund të ndryshojnë”, u shpreh Lamallari.

Ndërkohë relatori Ervin Bushati deklaroi se krimi në Shqipëri qarkullon rreth 1.5 mld dollar duke dhënë një impakt direkt në ekonominë e vendit.

“Sipas studimeve të Kombeve të Bashkuara krimi i organizuar në botë shkon në 10% të GDP-së, në Shqipëri mund të shkojë me 1.5 mld dollar në vit”, tha Bushati.

Ndryshimet në këtë projektligj janë realizuar në kuadër të paketës “Anti KÇK”  ndërkohë që ky draft është dërguar në komisionet parlamentare me procedurë të përshpejtuar pasi duhet të miratohet javën e ardhshme në Parlament./abcnews.al