Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi gjatë fjalës së saj të mbajtur në Kuvend, ditën e sotme ka thënë se Kodi Rrugor pritet të ndryshojë. Sipas saj sot do të miratohen në Kuvend ndryshimet ku parashikohet një ashpërsim i masave për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Hysi tha se me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për “Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, synohet rritja e sigurisë rrugore.
“Ulja e kostove për shërbimet ndaj qytetarëve, pa rritur kostot e institucioneve, rritja e cilësisë së shërbimit për qytetarët, procedura administrative të thjeshta për qytetarët dhe rritja e eficiencës së dokumentacionit dhe të dhënave mbi përdoruesit e mjeteve dhe mjetet janë të mirëpritura”, vijoi Hysi.
“Të nderuar përdorues të rrugës, drejtues mjeti apo kombësorë, pavarësisht moshës në ndryshimet që miratohen sot në Kodin Rrugor, ashpërsohen masat për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor kryesisht për drejtimin e automjetit, pas përdorimit të alkoolit, për përdorimin e celularit, apo shkelje të përsëritura”, tha ajo.
Projektligji adreson shumë problematika për shkeljet rrugore përsa i përket përparësisë, ka dënime më të ashpra në rast të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugorë për përparësinë në rrugë por dhe në rast të përsëritjes së shkeljeve brenda një viti.
“Një sjellje e re që sillet në Kodin Rrugore është sjellja agresive në rrugë, kur ju drejtues të mjeteve në rrugët urbane apo dytësore ushtroni presion apo agresion të mjetit nëpërmjet sistemit të ndriçimit, duke mos ruajtur distancën, duke kërkuar rrugën padrejtësisht dhe duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe kryesisht të përdoruesve të rrugës”, tha Hysi.
“Këshillimi është një masë e re që shtohet në Kodin Rrugor për kategori të shkeljeve të caktuara, për të cilat agjenti verifikues do të regjistrojë këshillimin, por ky këshillim regjistrohet në sistem dhe ka pasoja në vijueshmërinë masave që do ndërmerren nëse ju do të shkelni rregullat e Kodit Rrugor”, tha ajo. /abcnews.al/