Komiteti i përhershëm i Asamblesë Kombëtare të Popullit, organizmi më i lartë legjislativ kinez, miratoi Amendamentin 11 të kodit për të drejtën penale, i cili mes të tjerave, ul deri në moshën 12 vjeç, minimalen me të cilën një i mitur mund të dënohet për krime të rënda si vrasja. Sipas normativës së re, nëse një i mitur i cili ka mbushur 12 vjeç, jo më 14, kryen një vrasje të qëllimshme, plagos dikë qëllimisht duke i shkaktuar vdekjen, apo përdor mjete të pamëshirshme, shkakton plagë të rënda tek një person duke e bërë të paaftë të lëvizë, do të konsiderohet përgjegjës penalisht.
Ai do të mund të gjykohet si i rritur nga Prokuroria supreme e popullit. Të miturit e moshës nga 14 deri në 16 vjeç do të konsiderohen penalisht të përgjegjshëm nëse kryejnë vrasje, përdhunim, kontrabandë apo trafik të drogës. Amendamenti parashikon gjithashtu masa më të ashpra për shkeljen e të drejtave të pronës intelektuale duke shtuar deri në 10 vjet burg dënimin për krimet ndaj të drejtës së autorit. Amendamenti do të hyjë në fuqi në 1 mars 2021./abcnews.al