Ndryshon formati i Kategorisë së parë dhe Kategorisë së dytë, mësohen skemat e reja

schedule12:30 - 2 Korrik, 2022

schedule 12:30 - 2 Korrik, 2022

Më datë 3 shtator do të nisë edicioni i ri i kampionatit të Kategorisë së Parë, ndërsa më 1 tetor edhe Kategoria e Dytë do të ngrejë siparin e sezonit të ri.

Në edicionin e ri të kampionatit të Kategorisë së Parë, pjesëmarrëse do të jenë 14 skuadra që do të përballen midis tyre në dy faza, me sistem vajtje-ardhje. Kategoria e parë do të zgjasë 26 javë dhe pas pёrfundimit tё dy fazave, skuadrat e renditura nё vendin e parё dhe tё dytё do të ngjiten automatikisht nё Abissnet Superiore.
Ndërsa, sipas skemës së realizuar edhe përgjatë edicionit 2021/2022, ekipet e renditura në vendin e tretё, katёrt, pestё dhe tё gjashtё do tё luajnё ndeshje play-off pёr tё pёrcaktuar skuadrën qё do tё zhvillojё ndeshje me vendin e tetё tё “Abissnet Superiore”. Sipas skemës, skuadra e renditur në vendin e tretë do të përballet me ekipin e renditur në vendin e gjashtë në klasifikimin përfundimtar, ndërsa skuadra e renditur në vendin e katërt do të luajë ndaj ekipit të renditur në vendin e pestë.

Gjithashtu, në këtë edicion të ri futbollistik në Kategorinë e Parë, pas përfundimit të dy fazave skuadrat e renditura nё vendin e 11,12, 13 dhe tё 14 do të zbresin nё Kategorinё e Dytё. Ndërsa, skuadrat e renditura nё vendin e 9 dhe 10 do tё luajnё ndeshje finale play-out me skuadrat fituese tё play-off tё Kategorisё sё Dytё Grupi A & B, ku vendi i 9 i Kategorisë së Parë do të zhvillojë ndeshje play-off me një takim me ekipin fitues të play-off të Grupit “A” të Kategorisë së Dytë nё njё fushё asnjёanёse, ndërsa skuadra e renditur në vendin e 10-të do të luajë ndeshje play-off me një takim me skuadrën fituese të play-off të Grupit B të Kategorisë së Dytë.

Nga Kategoria e Dytë në Kategorinë e Parë do të ngjiten automatikisht fituesit e grupeve A dhe B. Skuadrat e renditura nga vendi i dytë në vendin e pestë në secilin grup do të luajnë ndeshje play-off për të përcaktuar skuadrën që do të ndeshet me vendin e 9-të dhe të 10-të të Kategorisë së Parë, ku skuadra e vendit të dytë do të luajë me ekipin e renditur në vendin e pestë, ndërsa skuadra e renditur në vendin e tretë në klasifikim do të përballet me ekipin e renditur në vendin e katërt.

Vlen të theksohet se Kategoria e Dytë, ashtu sikurse edhe edicionin e kaluar do të jetë e organizuar në dy grupe, A dhe B, ku do të zhvillohen dy faza të plota me sistemin vajtje – ardhje.

Sa i takon kampionatit  Superiore, skema do të jetë e njëjtë me atë të sezonit të kaluar dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim./ fshf.org