Ndryshimi i madh po vjen, Pirlo: Juventusi im dominues dhe gjithmonë në sulm

schedule17:28 - 19 Shtator, 2020

schedule 17:28 - 19 Shtator, 2020

Andrea Pirlo do të provojë nesër në mbrëmje emocionet që të ofron pankina e Juventusit. Ish-mesfushori i madh italian zgjodhi të vijonte karrierën e trajnerit dhe kampionët e Italisë i kanë ofruar një shans të artë.

Në konferencën për shtypin para duelit me Sampdorian (e diel, 20:45), Pirlo prek disa tema, thekson nevojën për një qendërsulmues, vlerëson lojtarët e ekipit dhe rrëfen se çfarë futbolli do të luajë Juventusi i tij, duke lumturuar popullin bardhezi.

Unë ndihem mirë, por rëndësi ka që nesër të ndihen mirë edhe lojtarët. Kam një kontingjent të pasur, kam shumë lojtarë në dispozicion për sfidën me Sampdorian. Ishim në dijeni të dëmtimeve të Dybala dhe De Ligt.

Provuam diçka në miqësoren me Novarën, teksa kemi përdorur disa zgjidhje në javën e fundit. Nuk kam vendosur akoma se kush do të luajë në vend të Alex Sandros, të shohim.

 

Pirlo gjatë një seance stërvitore me Juven

Të gjithë po presim mbërritjen e një qendërsulmuesi, por ai nuk do të jetë Luis Suarez, ai nuk vjen dot. Të gjithë skuadrat kanë probleme, por merkato do të zgjasë shumë, kështu që jemi të qetë, nuk duam të nxitohemi.

Kemi përfituar disi nga fakti që shumë lojtarë u grumbulluan me kombëtaret e tyre, luajtën, morën minuta dhe kjo na ndihmon. Fillimi i këtij sezoni ka qenë i veçantë, ndryshe nga të kaluarit, njësoj do të jetë edhe sezoni i ri.

Juventusi? Drejtoj një skuadër të mbushur me kampionë, kjo është siguria dhe garancia më e madhe që kam. Jam përshtatur shumë mirë me lojtarët, po stërvis një skuadër shumë të fortë.

Skema? Unë kam idetë e mia, ashtu siç Sarri kishte të vetat. Në disa situata mund të ngjajmë shumë. Preferoj të kontrolloj lojën dhe dua të luaj një futboll sulmues, ekipi duhet të luajë gjithmonë përpara“, deklaron Pirlo. /abcnews.al