Eksperti për Ballkanin Daniel Server, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” u shpreh se një ndarje e mundshme e Kosovës do të kishte pasoja jo vetëm për rajonin. Ai u shpreh pesimist mbi arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit.
Profesori i Universitetit Johns Hopkins të Uashingtonit, ekspert për Ballkanin dhe një ndër ndërmjetësit për arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit për Bosnjën, ka deklaruar se nuk është shumë optimist se në samitin e Parisit, në fillim të korrikut, Kosova e Serbia mund t’ia dalin të arrijnë ndonjë marrëveshje përmasash të gjera.
Në një intervistë dhënë seksionit serb të “Zërit të Amerikës”, ai tha se presidenti i Serbisë Vuçiç ka dëshmuar se në këtë moment nuk po kërkon zgjidhje të sinqertë për kontestin me Kosovën, ndërkohë që rikujtoi se liderët e Kosovës nuk kanë besim tek shefi i diplomacisë Ivica Daçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç.
Liderët e Serbisë dhe Kosovës thotë analisti Daniel Server, nuk kanë manifestuar vullnet që në dialogun e të dyja palëve të shkojnë përpara sikurse kryeministrat Zoran Zaev e Aleksis Tsipras, të cilët i dhanë fund kontestit prej shumë dekadash mes Maqedonisë dhe Greqisë.
“Mendoj se nga Vuçiçi dhe Thaçi nuk mund të pritet diçka e tillë”, ka thënë Server për seksionin serb të “Zërit të Amerikës”, duke shtuar se është iluzion ideja aktuale për një zgjidhje “në paketë” të kontestit Serbi-Kosovë, ndaj nevojitet më shumë kohë dhe durim.
Duke folur për problemin për çështje e tarifave të vendosura nga qeveria e Kosovës për mallrat serbe, analisti i njohur rikujton problemet e shumta mes dy palëve dhe përmend fushatën e Serbisë për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare:
“Heqja e taksave në këmbim të stopimit të fushatës së autoriteteve serbe që po e zhvillojnë me qëllim të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Po ashtu, është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të përmbush premtimin për vendosjen e liberalizimit të vizave me Kosovën. Nuk mund të arsyetohet fakti se kjo ende nuk është bërë. E di se kjo është ofruar si këmbim për heqjen e tarifave, prandaj ndoshta në këtë aspekt mund të përgatitet një paketë e trefishtë”, thotë Daniel Server për “Zërin e Amerikës”.
I pyetur se çfarë mendon për idenë e ndarjes, shkëmbimin e territoreve ose ndryshimin e kufirit, eksperti për çështjet ballkanike gjithë këtë e quan “ide të vdekur dhe të keqe”, sepse, argumenton ai, kjo do të destabilizote rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Server nuk është shumë optimist se në samitin e Parisit, në fillim të Korrikut, të dyja palët mund të afrojnë qëndrimet, për shkak se, përfundon ai, aktualisht nuk ka kushte për arritjen ndonjë marrëveshjeje përmasash të gjera./ABC News Albania 24/7