Ndryshimi i buxhetit 2024/ Më shumë të ardhura në arkë, përmirësohet skema e pensioneve

schedule14:40 - 23 Shkurt, 2024

schedule 14:40 - 23 Shkurt, 2024

SHQIPËRI- Arka e shtetit ka mbledhur më shumë para në muajt e parë të këtij viti. Si rezultat i performacës së mirë qeveria ka rishikuar buxhetin 2024 duke rishpërndarë fondet. Ndryshimet janë zbardhur në fletoren zyrtare dhe tregojnë se të ardhurat e përgjithshme janë rritur me  rreth 11  miliardë lekë,  apo rreth 28.2 për qind të PBB.

Peshë kryesore në rritjen e të ardhurave e ka pasur  rritja e kontributeve  në skemën e sigurimeve shoqërore. Janë 7.9 miliardë lekë  që  kanë rezultuar si tepricë dhe janë arkëtuar në buxhet në një zë të veçante “Rezultati Financiar i ISSH-së.

Kjo ka ardhur si pasojë e formalizimit dhe  nga rritja e arkëtimeve të sigurimeve shoqërore por edhe si pasojë e tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale.

Në mbledhjen e më shumë parave në skemën e pensioneve ka ndikuar edhe rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë, masë kjo që ndikoi pozitivisht të ardhurat nga sigurime.

Po ashtu pagat pësuan  rritje në të gjitha nivelet e tjera si në sektorin privat dhe atë publik. Rritja e të ardhurave është vendosur të kalojë për investime. Në bazë të aktit normative zëri i investimeve shkon në total 87.5 miliardë lekë apo 3.6 % e PBB nga 77.3 miliardë që ishte më parë.

Të dhëna e  detajuara të aktit normativ tregojnë se investimet përqendrohen kryesisht në ndërtimin e rrugëve po edhe një fond për ndërtimin e  portit të ri në Porto Romano.

Fokus i qeverisë është mbetet vijimi i uljes së borxhit publik. Në fund të vitit 2023 borxhi publik arriti në 59.2%.

Të ardhurat në buxhet:
Ishin       676 miliardë lekë
Bëhen    686.7 miliardë lekë

Investimet publike

Ishin     77.3  miliardë lekë
Bëhen  87.5 miliardë lekë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!