Ndryshimi i bravës së derës së PD në Fier, Kapllanaj: Zyrat u morën në dorëzim nga funksionarë të kësaj partie

schedule15:25 - 25 Nëntor, 2021

schedule 15:25 - 25 Nëntor, 2021

Kryetari i komanduar i degës së Partisë Demokratike në Fier, Agron Kapllanaj në një prononcim për mediat ka sqaruar incidentin e ndryshimit të bravës së zyrës.  Ai thotë se zyra u mor në dorëzim nga funksionarë të kësaj partie të ardhur nga selia qendrore, pas largimit të Luan Baçit.

Sakaq, ka shpjeguar se në këtë detyrë është komanduar dhe do të vazhdojë ta mbajë deri kur të mbahen zgjedhjet sipas statutit.

“Unë nuk jam përballur me grupseksionet apo kryesinë kjo nuk është e vërtetë. Nuk jam në dijeni të mbledhjes urgjente, nuk kam thirrur mbledhje. Unë jam komanduar të drejtoj degën e PD, derisa të shkojë në zgjedhje sipas statutit që rezulton të jetë vitin e ardhshëm. Nuk e kuptoj nga ka ardhur shqetësimi për zyrat. Ish kryetari ka më shumë se një vit që ka dhënë dorëheqje dhe ky vend ka qenë vakant. Unë jam komanduar deri në zgjedhjet e ardhshme

Zyrën e  kam marrë në dorëzim nga funksionarë të PD qendër të cilët kanë ardhur me procesverbal, më kanë dhënë çelësat dhe bazën materiale në këtë zyrë”, tha ai.

I pyetur për krizën e brendshme brenda selisë blu, Kapllanaj theksoi:  “Mua nuk më shqetëson asgjë përveç aktiviteti i demokratëve të Fierit dhe aksioni që ne e kemi kundër Edi Ramës. Nuk kemi asgjë të ndajmë me njëri tjetrin. Mendimet ndryshe brenda një force politike janë mendime që më shumë se në çdo forcë politike tjetër shprehen në PD. Në foltore mund të shkojë cilido demokrat që mendon se duhet të dëgjojë mendimet ndryshe. Në linjën zyrtare të PD që drejtohet nga kryetari legjitim zoti Lulzim Basha shkojnë të gjithë demokratët aty ku shkojnë edhe të gjitha institucionet ndërkombëtare. Mua nuk më shqetëson asgjë nga këto përveçse aksioni politik kundër Edi Ramës.” g.v/abcnews.al