Ndryshimet në tregun valutor/ Gjergji: Rënia e euros, fenomen i tregut të brendshëm. Babameto: Ndikim, edhe integrimi në ekonominë botërore

schedule20:32 - 4 Tetor, 2024

schedule 20:32 - 4 Tetor, 2024

Eksperti i menaxhimit financiar, Artan Gjergji thotë se trendi rënës i euros ka nisur prej një dekade, dhe jo vetëm në këto vitet e fundit.

Në emisionin “Sheshi i dollarit” me gazetarin Bardhi Sejdarasi, duke folur për kursin e këmbimit, ai tha se rënia e monedhës evropiane nuk vihet re në vende të tjera, që do të thotë se fenomeni është i tregut tonë të brendshëm.

Sipas tij, trendi rënës ka ardhur edhe për shkak të informalitetit dhe prurjeve të valuës nga burime të paidentifikuara.

Ndërkohë, Edon Babameto, analist investimesh në tregjet financiare, deklaroi se ndryshimet në kursin e këmbimit reflektohen edhe nga fakti se ekonomia jonë është integruar më shumë me ekonomitë e vendeve të tjera.

Pjesë nga diskutimi:

Artan Gjergji: Ka një problem të madh, duke qenë ekonomi në zhvillim kemi problem, me pjesën e informalitetit, e cila është e vështirë për tu kalkuluar. Asnjë bankë qendrore nuk e ka kaq të lehtë për të matur informalitetin në ekonomi. Kështu që për ta zgjeruar diapazonin sepse kolegët folën për dy tre vitet e fundit ndërkohë që në trendin rënës e kemi të paktën nga viti 2015 e këtej. Ndërkohë që asnjë nga komponentët strukturorë që u përmendën, qoftë turizmi, nuk kanë qenë kaq fenomene që kishin ndikim të jashtëzakonshëm në GDP e vendit, ndërkohë që ne kishim filluar rënien. Pse vinte kjo? Në gjykimin tim, nga një deformim që i ndodhte balancimit të tregut valutor për shkak të prurjeve të valutës nga burime të paidentifikuara. Kështu që ndaj të njëjtin mendim me kolegët që sidomos turizmi dhe eksporti i shërbimeve kanë dhënë dhe ndoshta edhe dominojnë pjesën më të madhe të valutës që është sot në qarkullim por ky nuk është një fenomen 2 apo 3 vjeçar por gati 10 vjeçar. Nëse analizojmë grafikun për ecurinë e euros në tregjet ndërkombëtare, nuk e ka atë fenomen. Do të thotë që është një fenomen i lokalizuar vetëm për tregun e brendshëm. Duhet të gjejmë ato komponentë të brendshëm që kanë ndikuar në këtë rënie. Pra, paratë që vijnë nga burime të paidentifikuara në informalitet. E them me krenari këtë që sektori financiar, në gjykimin tim, është filtri më i mirë i këtyre parave me burime të paqarta në tregun vendas. Guxoni të shkoni me 10 mijë e 1 euro në një sportel banke, do të duhet të plotësoni 30 formularë se ku i more dhe pse. Ndërkohë në Shqipëri ka projekte me miliona euro investimesh që nuk dihen se ku e kanë burimin e të ardhurave. Tregu valuator në vetvete pjesën më të madhe e tij e ka në informalitet. Kuadri ligjor është ok, sipas kuadrit rregullator, po këmbëve 1 mijë euro duhet të paraqesësh kartën por a zbatohet kjo? Jo.

Edon Babameto: Duke parë gjithmonë nga jashtë, për një vend në zhvillim si Shqipëria, ne kemi qenë shumë pak i integruar në ekonominë e botës. Sa më shumë integrohemi, aq më shumë bëhemi pjesë edhe e ekonomisë botërore. Duke u integruar kjo ndikon edhe në kursin e këmbimit, është edhe një pjesë që ndikon pjesa informale por edhe kjo, nëse do ta hiqnin, nuk do të zhdukej krejt. Ka ndikimin e saj, por ndikimi kryesor vjen nga integrimi i Shqipërisë në ekonominë botërore. Po të shohim edhe lëvizjen e kursit, me të vërtetë ka qenë duke rënë në 10 vite, ka akseleruar shumë në këto 4-5 vitet e fundit, dhe kjo tregon se edhe integrimi ka akseleruar në krahasim me më përpara. Ne e shohim këtë te sektorët ciklik të ekonomisë, që zhvillohen shumë gjatë ekspansionit ekonomik, të rrisin aktivitetin, GDP dhe këta sektorë janë turizmi, dhe ndërtimi. Pra, ky zhvillimi i këtyre sektorëve ka ndikuar edhe në këtë kurs. Janë bërë 4-5 vite cikël i fortë ndërtimesh, bum turizmi dhe për mua, tani e më pas, është që po këto arsye fondamentale që kanë ndikuar në forcimin e lekut, a do të jenë më? A do të vazhdojë i njëjti marzh zhvillimi./abcnews.al