TIRANË- Kabineti qeveritar në ikje ka bërë mbledhjen e fundit, ku kanë munguar tre ministra. Belinda Balluku, e cila nuk ka pritur zbardhjen e vendimit të Kushtetueses, nuk shkon në zyrë prej asaj dite.
Pirro Vengu zgjodhi të mbyllë detyrën, duke marrë Raketat Javelin nga qeveria amerikane. Elisa Spiropali mungoi gjithashtu në mbledhjen e qeverisë, por përmes një reagimi të gjatë në rrjete sociale, la të kuptohej se, me gjithë befasinë e vendimit të Ramës, ajo do t’i qëndronte besnike familjes socialiste.
Analisti Martin Leka, i ftuar në “Tirana Live” u shpreh se ndryshimet e kryeministrit Edi Ramës në kabinet ishin më realiste se kurrë.
Me ndryshimet e bëra, Leka theksoi se Rama duket se e ka parë dhe analizuar situatën me syrin e një administratori të mirë.
“Mendoj se asnjëherë më parë nuk e kam parë lëvizjen e kryeministrit më realiste dhe të ndjeshme se në këtë rast. Mendoj se është pasojë e reflektimit serioz, ndaj trysnisë, qoftë trysnisë së brendshëm, qoftë SPAK dhe aktorët e jashtëm, si komunitetit evropian. Sepse janë të ndjeshëm , sepse Shqipëria është në fazën e fundit dhe sipas tyre Shqipëria brenda 2030 është gati për t’u anëtarësuar në BE. Kryeministri është treguar një demokrat, një njeri realist, dhe që e ka parë situatën më syrin e një administratori të mirë të Shqipërisë”, tha ajo.
Ai komentoi dhe reagimin e Elisa Spiropalit, e cila u zëvendësua nga diplomati Ferit Hoxha. Sipas Lekës, Spiropali në asnjë rresht nuk kishte uruar pasardhësin për detyrën e re, dhe kjo shtoi ai tregon se vetë Spiropali kishte shenja pakënaqësie.
Pasardhësin e Spiropalit në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Leka e cilësoi si një zgjedhje ekselente, të bërë nga ana e kryeministrit Rama.
“E lexova shkrimin e gjatë, Ishte menduar shumë gjatë, nga dje deri sot. Në gjithë rreshtat e fjalimit të Spiropalit nuk kishte asnjë rresht për të uruar detyrën e re një njeriu, i cili është ndoshta diplomati më i mirë që kemi.
Mendoj se ishte një fjalim, i cili kishte nota të theksuara pakënaqësie ose gjer në kuptimin sikur ishte në një ëndërr, sikur njeriu mban një fjalim në funeralin e vet. U shkarkua, sepse ne e kishim paralajmëruar, e kishte theksuar dhe kryeministri, kur në dy herë kishte kritika serioze për reformën në ministrinë e Jashtme. Lëvizja më ekselente, vendosja e Ferit Hoxhës”, tha ai.
Ai theksoi se emrat e rinj do të sjellin një puls të shtuar për kabinetin qeveritar.
“Kjo është qeveria më teknike që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Nga CV-të e paraqitura premtojmë për një impuls të ri në qeverisjen e vendit”, tha ai./abcnews.al


