Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur opozitës jashtë parlamentare dhe Presidentit Ilir Meta për ndryshimet kushtetuese, të miratuara paraditen e sotme nga Komisioni i Ligjeve.
Me ironi, kreu i qeverisë e cilëson Presidencën si “opozita presidenciale”, ndërsa thotë se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë.
Opozitës jashtë Parlamentit, Rama i drejtohet duke thënë se “se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë”.
LEXO EDHE: Presidenca për ndryshimet kushtetuese: T’i jepet fund çdo marrëzie, distancohuni nga aventurierët
Më herët, këshilltari i Presidentit Meta, Tedi Blushi në një reagim shprehej se duhet t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë.
Lidhur me ndryshimet Kushtetuese reagoi edhe Partia Demokratike. Sipas demokratëve Rama nuk hap listat, por heq vetëm koalicionet parazgjedhore.
Reagimi i Ramës:
Shoh agjitim në radhët e opozitēs jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë..
Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit…
As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet tê merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi!
/abcnews.al