Ish-presidenti Bamir Topi është kthyer pas në kohë dhe ka kujtuar një intervistë të dhënë për gazetarin Sokol Balla disa vite më parë, ku ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese do të deformojnë sistemin dhe do të krijojnë krizë përfaqësimi.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes me Bashkim Hoxhën” në ABC News, ai ka pranuar se parashikimi i 15-viteve më parë i ka dal dhe sot ne kemi një raport të deformuar, qytetari dhe partitë kanë një marrëdhënie, një muaj para zgjedhjeve dhe ditën mbrapa, politika nuk kujtohet për qytetarin, fillon një marrëdhënie tjetër.
“Sot një nga elementët më të rëndësishëm që parashikojnë katastrofa, përmbytje, sigurisht janë ato që merren me meterologjinë, me shërbimin e emergjencës. Edhe thonë: ‘Shiko, këtu parashikohen të bien këto reshje shiu, këto përmbytje’. Edhe natyrisht, sikurse duhet të jetë një tipar i një njeriu që shkon në një institucion dhe natyrisht duhet parë me shumë realizëm. Sepse kur je brenda parlamentit, natyrisht që ka zëra që mund të dalin në një mendim ndryshe, por kur je në krye të një institucioni siç është Presidenti i Republikës patjetër mendimi duhet të lajmërohet, duhet të bëhet publik.
Unë nuk e harroj atë intervistë, sepse lidhet jo thjesht me paralajmërimin që i është bërë politikës, por dhe publikut, shiko do të kemi këtë lloj marrëdhënie me politikën. Në një farë mënyre, është një pikë referimi edhe për fillimin e përplasjeve të forta politike që unë kam pasur gjatë asaj periudhe dhe vijuan pastaj, dhe arritën kulminacionin më 21 janar të vitit 2011. Pra, dhe në politikë, gjërat nuk janë sot për nesër, nuk është fast-food, jo politika është një gjë shumë e komplikuar dhe shumë e bukur, por është e bukur kur vendimmarrjet janë të menduara. Kur ata që bëjnë vendimmarrje janë të pastër moralisht për të shkuar te ato vendimmarrje. Ka vendimmarrje që bien ndesh në një moment me publikun, por ai që është në krye për ta marrë këtë vendim, sigurisht që shikon më gjatë. Koha provon që ai ka pasur të drejtë. Problemi i intervistës së datës 18 prill 2008 që praktikisht janë 15 vjet, është parashikimi se ku do të shkonte raporti i politikës me qytetarin, raporti i politikës me institucionet, dmth prishja e balancave të institucioneve dhe sot ne kemi një raport të deformuar, qytetari dhe partitë kanë një marrëdhënie, një muaj para zgjedhjeve dhe ditën mbrapa, politika nuk kujtohet për qytetarin, fillon një marrëdhënie tjetër. Unë e kam parë me shumë kujdes në emisionin tuaj që e ndjek që prej vitit 1997, qytetarët kanë një dinamikë shumë interesante, gjatë kohës së qeverisjes kur janë larg zgjedhjeve janë më real, japin problemet, bëjnë kritikat. Çuditërisht, muajin që fillojnë dalin në skenë partitë, atëhere ato polarizohen”, tha Topi./abcnews.al