Deputetët e VMRO-DPMNE-së në Maqedoni janë tërhequr nga bisedimet parlamentare mbi ndryshimet kushtetuese dhe kanë paralajmëruar se nuk do t’i votojnë ato. Duke reaguar, ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov ka deklaruar se një skenar i tillë bart rreziqe të mëdha.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” siç thuhet në një komunikatë u bëjnë apel deputetëve të shumicës qeveritare të heqin dorë nga debati dhe të votohet rreth propozimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për ndryshime kushtetuese, duke shtuar se ata nuk do të votojnë për ndryshime të Kushtetutës.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit kanë shprehur bindjen e tyre se ndryshimet e propozuara dhe amendamentet e Kushtetutës nuk do të kalojnë në Kuvendin e Maqedonisë dhe me këtë qëndrim e kanë njoftuar udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së, ku njëzërit kanë konfirmuar pozicionin e tyre se do të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese”.
Gjatë ditës së tretë të debatit për nevojën e qasjes ndaj ndryshimeve kushtetuese, deputeti i partisë GROM Pance Minov, ka propozuar një amendament kushtetues që parasheh përdorimi i brendshëm i emrit Republika e Maqedonisë së Veriut të fillojë të zbatohet pas hyrjes së vendit në BE dhe pas finalizimit të të gjitha kapitujve të Marrëveshjes. Ai ka ftuar liderët e mazhorancës dhe opozitës që të arrihet consensus kombëtar.
Pançe Minov: “Të përcaktojmë afate dhe kushte ku zbatimi i ndryshimit të emrit kushtetues për përdorim në organizmat ndërkombëtar të vlejë pas ratifikimit të Marrëveshjes me Greqinë në parlamentin grek si dhe ratifikimin e kapitullit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO”.
Pas 27 viteve, mezi kemi arritur t’i lidhim dy palët dhe nëse hapim një proces tjetër, rreziku që ta lëshojmë këtë mundësi do të jetë shumë i madh – ka replikuar Ministri i jashtëm Dimitrov.
Nikola Dimitrov: “Mezi i lidhëm dy anët dhe mendoj se nëse hapim proces të ri të negociatave, do të jetë rreziku i madh edhe për ne edhe për Greqinë që ta lëshojmë këtë shans”.
Deputeti i BDI-së Branko Manojllovski u shpreh se është më mirë të jepet amnisti për deputetët e VMRO DPMNE-së, që do ti votojnë ndryshimet kushtetuese, se sa të dështojë Marrëveshja e Prespës me Greqinë. Mirëpo në paraqitjen e tij në foltore të Kuvendit, Deputeti i BDI-së Artan Grubi ka theksuar se qëndrimi i Manojllovskit nuk është qëndrim partiak por personal.
Artan Grubi: “Jam shumë i ngazëllyer të dëgjoj mendime dhe ide të ndryshme nga cdo palë, por sa i përket BDI-së, i cili pajtim që për ne mund të vijë është pajtimi në Bruksel dhe asnjë tjetër. Pajtohuni me vetëveten se nuk ka pajtim tjetër vec NATO-s dhe BE-së”.
Për diskutime janë të paraqitur edhe disa deputetë dhe mbetet e pasigurtë nëse kjo pikë e rendit të ditës do të përfundojë nesër apo sic është vlerësuar të premten. /abcnews.al