Ndryshimet klimatike shkaktojnë një valë vdekjeprurëse të të nxehtit/ Qindra të vdekur nga vapa në Azi dhe Europë

schedule10:12 - 21 Qershor, 2024

schedule 10:12 - 21 Qershor, 2024

Valët vdekjeprurëse të të nxehtit po godasin qytetet në katër kontinente të hemisferës veriore.

Është një shenjë se ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë temperatura që tejkalojnë ato të verës së kaluar, e cila ishte më e nxehta në 2000 vjet, sipas hulumtimit të botuar në revistën Nature.

Temperaturat rekord të ditëve të fundit besohet se kanë shkaktuar qindra, nëse jo mijëra, viktima në Azi dhe Europë.

Në Arabinë Saudite, pothuajse dy milionë myslimanë shkuan në Xhaminë e Madhe të Mekës, por qindra vdiqën për shkak të temperaturave ekstreme që kaluan 51 ° Celsius.

Të paktën 530 egjiptianë kishin vdekur gjatë haxhit, nga 307 që u raportuan të mërkurën, ndërsa 40 janë ende të zhdukur.

Vala e të nxehtit në Europë dhe SHBA

Mesdheu është prekur nga temperaturat e larta, të cilat mund të kenë kontribuar në shpërthimin e zjarreve në rajone të ndryshme, nga Portugalia në Greqi dhe përgjatë bregut verior të Afrikës deri në Algjeri.

Në Serbi, sinoptikanët parashikojnë që temperaturat të shkojnë rreth 40°C këtë javë pasi erërat nga Afrika e Veriut krijojnë një front të ngrohtë në Ballkan. Autoritetet shëndetësore shpallën alarmin e kuq dhe këshilluan qytetarët të shmangin daljen nga shtëpitë e tyre.

Në Mali të Zi, autoritetet u kanë kërkuar gjithashtu qytetarëve të qëndrojnë në vende me hije deri në orët e vona të pasdites, dhjetëra mijëra turistë po kërkojnë pak freski në plazhet përgjatë Adriatikut.

Dhe Bregu Lindor i SHBA-së ka regjistruar temperatura ekstreme për të katërtën ditë rresht.

Autoritetet meteorologjike lëshuan dje, të enjten, një paralajmërim për nxehtësi ekstreme në disa zona të Arizonës, përfshirë Phoenix, ku temperatura pritet të shkojë 45.5 gradë Celsius.

Në shtetin fqinj të Nju Meksiko, zjarret kanë shkaktuar dy viktima, kanë djegur më shumë se 93,000 hektarë dhe kanë shkatërruar 500 shtëpi, sipas autoriteteve.

Një total prej afro 100 milionë amerikanë jetojnë në zona për të cilat dje u dhanë paralajmërime për nxehtësinë ekstreme.

Temperaturat e larta pritet të fillojnë të ulen në verilindje të SHBA-së duke filluar nga sot, tha shërbimi i motit, por në Nju Jork dhe shtetet më jugore vapa do të vazhdojë gjatë fundjavës.

Sezoni i verës në Indi zgjat nga marsi deri në maj, kur me fillimin e musoneve temperatura fillon të shënoj rënie. Por të mërkurën, Nju Delhi regjistroi temperaturën e tij më të lartë në të paktën 55 vjet.

Normalisht temperaturat ulen gjatë natës, por shkencëtarët theksojnë se për shkak të ndryshimeve klimatike, temperaturat e natës po rriten edhe në shumë zona të botës.

Temperaturat e natës po rriten më shpejt se temperaturat e ditës, sipas një studimi të vitit 2020 nga Universiteti i Exeter. Valët e të nxehtit pasojnë 12 muaj rresht duke qenë më të nxehtat e regjistruara, sipas vëzhguesit të BE-së për ndryshimet klimatike.

Organizata Botërore Meteorologjike thotë se ka një shans 86% që një nga pesë vitet e ardhshme të jetë më i ngrohtë se 2023.

Edhe pse temperatura mesatare globale është rritur me rreth 1.3°C që nga koha para-industriale, ndryshimet klimatike po shkaktojnë temperatura edhe më të larta, duke i bërë valët e të nxehtit më të shpeshta, më intensive dhe më të qëndrueshme.

Një valë mesatare globale e nxehtësisë që do të kishte ndodhur një herë në 10 vjet në epokën para-industriale tani do të ndodhë 2.8 herë në çdo 10 vjet dhe do të jetë 1.2°C më e ngrohtë, sipas ekipit ndërkombëtar të shkencës (WWA) të World Weather Attribution.

Shkencëtarët vlerësojnë se valët e të nxehtit do të vazhdojnë të intensifikohen nëse bota vazhdon të emetojë gazra serë duke djegur lëndët djegëse fosile.

Nëse temperaturat globale rriten me 2°C në krahasim me kohërat para-industriale, valët e të nxehtit do të ndodhin mesatarisht 5.6 herë në 10 vjet dhe do të jenë 2.6°C më të ngrohta.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!