“Jemi në prag të një katastrofe klimaterike.” Kështu është shprehur sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ndërsa prezantonte raportin për hendekun e emetimeve në 2021 të “Programit të Mjedisit”.
“Edhe me kontributet aktuale të përcaktuara në nivel kombëtar dhe angazhimet e tjera të vendeve në mbarë botën, shtoi ai, ne po shkojmë drejt një rritjeje katastrofike të temperaturës globale prej rreth 2.7 gradë Celsius”.
Guterres bëri thirrje që epokës së “premtimeve të rreme” tashmë t’u vijë fundi.
“Hendeku i emetimeve është rezultat i një hendeku lidershipi, epoka e gjysmë masave dhe premtimeve të rreme duhet të përfundojë. Koha për të mbyllur hendekun e lidershipit duhet të fillojë në Glasgow”, nënvizon Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.
Deklaratat Antonio Guterres i bëri duke folur me gazetarët në selinë e OKB-së përpara samitit të klimës COP26, i cili hapet në Glasgow më 31 tetor.
“Shkencëtarët janë të qartë mbi faktet. Tani liderët duhet të jenë po aq të qartë në veprimet e tyre, ata duhet të vijnë në Glasgow me plane të guximshme dhe të kufizuara në kohë për të arritur neton zero.” /sb/abcnews.al/