Pavarësisht protestave të pa ndalura kundër tij, presidenti Vuçiç shfaqet i bindur se asgjë nuk do ta lëkund nga pushteti, madje ai pret suksese te Beogradit ne politiken e jashtme.
Në një interviste për radio televizionin serb, Vuçiç komentoj zhvillimet ne arenën ndërkombëtare, për të cilat tha se bota po ndryshon, dhe me te shume shpejt do te ndryshoj edhe qasja e disa vendeve kundër Serbisë, duke dëshmuar se Serbia ka patur të drejtë në qëndrimet e saj, madje edhe ndaj Kosovës.
“Shteti do të qëndrojë gjithmonë pranë popullit të tij në Kosovë. Nuk po ndalem te sqaroj se çfarë do të thotë kjo, po dua t’ju them se në fund Serbia do të fitojë. Dhe jam absolutisht i sigurt për këtë. Ndërsa gjërat po ndryshojnë ngadalë por me siguri në botë, jam i bindur se Serbia do të fitojë”, tha Vuçiç.
Vuçiç ka komentuar edhe tensionet Iran-izrael. Ai edhe këtë herë luajti me dy porta, duke i quajtur te dy vendet mike, ndërsa per te shqetësim është vetëm çmimi i naftës.
“Serbia ka marrëdhënie miqësore me të dy popujt që janë në konflikt. Po, mos më keqkuptoni, vetëm kur shikoj lëvizjet në tregun e çmimit të naftës me dhemb koka. Sot, sipas kuotave, çmimi i naftës duhet të jetë gjashtë ose shtatë dinarë më i lartë se sa ka qenë, dhe kuotat do të rriten edhe ne vijim. Unë besoj se kjo sjell probleme për të gjithë botën, se sjell probleme për Amerikën, se sjell probleme për Gjermaninë, për ekonominë evropiane. Dhe pastaj për ne, sigurisht. Serbia nuk është e përfshirë në këtë konflikt në asnjë mënyrë tjetër, përveç pasojave ekonomike”, theksoi më tej ai.
Vuçiç paralajmëroi vizita në vijim në Kinë dhe Japoni, ndërsa dy lëvizjet e tij të fundit kanë qenë në Moskë dhe Ukrainë.
Po teksa Vuçiç i qëndron besnik politikes se jashtme, kryeministri në detyrë Kosovës kërkon të mbushë gropën e marrëdhënieve të shkatërruara me SHBA me 50 emigrantë të deportuar.
/abcnews.al/