Kastrioti pësoi një tjetër humbje dhe trajneri Ramazan Ndreu shpreson tani që rivalët të barazojnë mes tyre ditën e nesërme. Tekniku i krutanëve, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi:
“Ishte një ndeshje e nisur mirë dhe po e mbanim larg rrezikun. E kisha paralajmëruar skuadrën që të bëjë shumë kujdes, pasi kundërshtari ka shumë lojtarë cilësorë dhe nëse bën një gabim, nuk të falin.
Gjithsesi ne treguam se nuk kemi ende harmoninë e një skuadre dhe vuajmë mungesat. Megjithatë kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Skënderbeut dhe Egnatias, ku edhe do të vendoset fati për gjysmën e parë të kampionatit. Në ndeshjen e tyre direkte, do të doja një barazim.
Jemi e vetmja skuadër që nuk kemi qendërmbrojtës tipik. Qoftë Karakaçi, qoftë Husein apo Kodra, janë mesfushorë, që adoptohen aty dhe në momente të caktuara sigurisht që edhe gabojnë.
Kur nuk ke kontigjentin e lojtarëve, je i detyruar të bësh ndryshime të tilla. Kemi 4-5 lojtarë të dëmtuar dhe 3 të tjerë pa stërvitjen e duhur, ndaj edhe kjo shpjegon disnivelin”, përfundoi Ndreu. / abcnews.al