Kastrioti do të përballet me Egnatian, në një takim i cili luhet për mbijetesë dhe fitorja është detyrim për krutanët, sfidë e cila do të luhet ditën e nesërme në orën 13:45.
Në konferencën për shtyp, trajneri Ramadan Ndreu, ka folur për takimin me Egnatian një sfidë e vështirë ku vetëm 3 pikët i bëjnë punë skuadrës.
Gjithashtu tekniku krutan pret merkaton e janarit që të përforcojë skuadrën, për t’u përqendruar më pas te ndeshjet e mbetura.
“Jemi në momente jo të mira, mungesat e shumta të ulin nivelin e lojës. Nuk jemi mirë edhe në aspektin psikologjik, por tashmë gjithçka ka kaluar dhe do të mendojmë për ndeshjen me Egnatian. Është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme, përplasemi me një skuadër afër nesh.
Do mundohemi të marrim maksimumin për të marrë pak oksigjen, nëse do të mendojmë që të arrijmë skuadrat e tjera, atëherë Egnatia është ajo që gjendet më afër. Nëse fitojmë do jemi në ritmin e duhur dhe prandaj kjo ndeshje merr rëndësi të veçantë dhe do punojmë në aspektin psikologjik që të paktën në 2-3 ndeshjet që kanë mbetur të mos dalim pa pikë.
Kemi nevojë urgjente për merkato dhe shpresoj të marrim maksimumin në këto ndeshje për të hyrë më pas në merkato. Momentalisht, kemi nevojë të përforcohemi në të treja repartet. Jemi në bisedime të përforcohemi me tre apo katër lojtarë cilësorë dhe jemi në përfundim të marrëveshjeve me ta”, ka deklaruar Ndreu. /f.a/abcnews.al