Kastrioti nesër pret Tiranën në Kazmë në ndeshjen e javës së pestë të Kategorisë Superiore. Para kësaj sfide në konferencë për shtyp doli trajneri i skuadrës krutane, Ramadan Ndreu.
TIRANA – “Në çdo ndeshje që kalon rritet shkalla e vështirësisë, për vetë faktin që edhe skuadrat nuk të nënvlerësojnë. Jemi një skuadër në njëfarë mënyre për t’u mundur, kështu që kjo ndeshje merr vlerësim maksimal. Do jemi të kujdesshëm, pasi përpara kemi një skuadër të fortë, ekipin kampion.
Do e menaxhojmë mirë lojën nga fillimi në fund dhe do jemi të kujdesshëm në fazën mbrojtëse. Skuadra do zbatojë me përpikmëri disiplinën taktike. Duhet të jemi të vendosur mirë, të kujdesshëm, jo se do lëmë mënjanë manovrën sulmuese. Duhet të jemi solid në fazën mbrojtëse dhe kjo është gjëja kryesore”.
DËMTIMET – “Ndeshjet e ngjeshura të japin probleme. Është një situatë e vështirë, pasi ne nuk është se kemi një kontingjent shumë të madh lojtarësh dhe e përballojmë pa asnjë lloj vështirësie.
Shpresojmë shumë që në këto ditë që kemi në dispozicion të na rikthehen lojtarët e dëmtuar. Bojom nuk kthehet dot, ka një tërheqje dhe do të mungojë. Të tjerët shpresoj se do të jenë të gatshëm”.
BARAZIM? – “E kam deklaruar shpesh që kryesorja është të luajmë futboll. Edhe me Apoloninë që ishim më mirë se kundërshtari dhe e kishim menduar të fitonim, barazuam”.
E rëndësishme është të luajmë, të japim maksimumin, të jemi të përqendruar dhe ta kuptojmë se të gjitha skuadrat janë të forta. Duhet të hyjmë në fushë me synimin për të marrë tri pikët dhe luajmë futboll. Këtë pres nga skuadra në këtë ndeshje, pastaj rezultatin e vendos fusha”, u shpreh Ndreu. /abcnews.al

