Kastrioti luan nesër në Fier ndaj vendasve të Apolonisë në një ndeshje, që krutanët janë të detyruar ta fitojnë për të qëndruar në listën e ekipeve kryesuese. Para kësaj sfide në konferencë për shtyp foli trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, i cili qau mungesat për nesër.
“Çdo ndeshje është e vështirë, aq më tepër kjo me Apoloninë për shkak se kemi 4-5 mungesa shumë të rëndësishme. Megjithatë e kam thënë edhe herë tjetër që nuk është një element që ta humb ndeshjen.
I kemi 15-16 lojtarë dhe ata që do luajnë do japin maksimumin. Ekipi e ka treguar edhe në Korçë, kur na munguan 2-3 lojtarë në qendër të mbrojtjes. Arritëm të fitonim gjithsesi. Na del për detyrë të angazhohemi të gjithë për ta mbyllur fundvitin me një fitore.
Fitoret e fundit? Nuk janë vetëm këto dy ndeshje, kemi një fazë që po luajmë mirë. Nuk jemi kalimtarë, kemi luajtur mirë dhe jo më kot kanë ardhur rezultate. Kam besimin absolut që do e mbyllin këtë fundvit në mesin e skuadrave më të mira”, u shpreh Ndreu. /abcnews.al