Ndreu: Kemi lojtarë me temperament të egër, me Devid ishim me 9 në fushë

schedule18:17 - 2 Maj, 2021

schedule 18:17 - 2 Maj, 2021

Kastrioti doli pa pikë nga takimi shtëpiak me Skënderbeun. Miqtë nga Korça fituan 0-2 dhe ekipi krutan rrezikon më shumë se kurrë qëndrimin në Superiore. Trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu tregoi në prononcimin e dhënë për Supersport se çfarë nuk funksionoi sot.

“Kemi dy javë që thirrja jonë është qetësia. Deri në momentin që ishim 11 lojtarë, loja ishte absolutisht nën kontrollin tonë, mund ta fitonim ndeshjen me pak kujdes. Akoma disa lojtarë mendojnë se do fitojnë ndaj skuadrave poshtë nesh.

Një barazim sot e mbante Korçën poshtë, nuk do na kapte më. Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës, por kemi humbur qetësinë. Janë djem të rinj, me temperament të egër, nuk e kuptojnë se na dëmtojnë. Jemi konfuzë, kemi humbur qetësinë.

Nuk ka mbaruar gjithçka, do mundohemi të jemi të kujdesshëm dhe të qetë. Edhe fatin e lidh me tensionin. Kur nuk je i qetë, je rrëmujë dhe konfuz, edhe fati bëhet kundër teje. I kam thënë djemve që duhet llogari. Është fundi i kampionatit, dhe ka rëndësi të mos pësosh gol.

E ardhmja? Do mundohemi të japim maksimumin në ndeshjet e radhës, besoj se do rikuperojmë. Tensioni është evident, nuk e shmangim dot. Lojtarët kanë moshë të re, nuk e mbajnë presionin dhe bëjnë gabime amatore.

Ia falëm golin Skënderbeut, ndeshja mbaroi. Futbolli do qetësi dhe kujdes, do edhe matematike. E kishim luksin për të menaxhuar fundin e kampionatit me pikët që kemi pasur. Edhe pesë ndeshje janë, varet sesa do të jemi të aftë për ta mbajtur skuadrën larg tensionit.

Fundi i kampionati do qetësi, por kam besim se do bëjmë maksimumin në ndeshjet që kanë mbetur. Mesa shoh, do e ndajmë me Bylisin.

Rikthimi i Devid? Nuk do e kisha aktivizuar sot, nuk është totalisht vendimi im. Nuk na shërbeu; nëse ishim me dhjetë, përfunduam me nëntë lojtarë. Edhe nja dy javë nuk pres nga Devid, do kohën e vet, i duhet të marrë ngarkesë, është e kotë ta futësh në lojë“, përfundoi trajneri i ekipit krutan. /abcnews.al