Ramazan Ndreu sigurisht që nuk mund të jetë i kënaqur me një barazim në shtëpi kundër Apolonisë. Hera e dytë që fierakët e ndalojnë skuadrën krutane në shtëpi. Ndreu, pas ndeshjes, foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
“Krijuam shumë volum në të dyja pjesët, por nuk konkretizuam para portës. Kur mendohet që kundërshtari është pak më i lehtë, duhet qetësi. Na mungoi kjo, ishim konfuz para portës. Duhej kujdes, qetësi, ide, pikët na duheshin dhe u futëm në panik. Nuk ishim të qartë”.
“I kam parasysh edhe dy ndeshjet e para me Apoloninë. Mendojmë gabim si skuadër, mendojmë se duhet ta mundim patjetër atë që është poshtë. Çdo skuadër do vlerësim maksimal, jo vetëm kur hyn në fushë. Më pëlqen Apolonia, luajnë pa presion. Edhe po të bien nga kategoria nuk e kanë problem. Nuk e kanë presionin si ne. Ishim më lart dhe me pak kujdes mund ta fitonim ndeshjen”.
“Në këto tre javë kemi marrë një pikë. E kemi forcën të reagojmë. Kemi tre lojtarë që na mungojnë në mesfushë, të cilët na e rrisin cilësinë. Ata na japin atë që na mungon në mesfushë. Kam besim se skuadra, me përjashtim të ndeshjes së sotme që nuk e fituam prej mungesës së cilësisë. Nuk e kemi mundësinë të diferencojmë skuadrat. Gjithsesi edhe me një pikë ruajmë nivelin”. /abcnews.al

