Kastrioti arriti një fitore të madhe ditën e sotme. Ekipi i Ramazan Ndreut triumfoi 2-1 ndaj Partizanit, duel që u luajt në stadiumin e qytetit të Kamzës. Tre pikë shumë të rëndësishme për krutanët e rikthyer në elitë, teksa trajneri Ndreu analizoi takimin në prononcimin e dhënë për Supersport.
FITORJA – “Ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe e luftuar. Ishim shumë të kujdesshëm në fazën e mbrojtjes, e kishim përgatitur kështu ndeshjen dhe në fund ia dolëm të fitonim”.
KASTRIOTI – “Kjo ishte vetëm një ndeshje. Në miqësore kemi luajtur mirë dhe kemi dhënë shenja se skuadra funksionon. Nëse në plan të parë kemi lojën luftarake, atëherë mund t’ia dalim të marrim rezultate pozitive”.
NOTA – “Skuadra merr notën 8, kishte momente të veçantë, sidomos në mbrojtje, ku ishim shumë mirë. Unë kam besim se skuadra do funksionojë mirë në të dyja fazat e lojës”.
BISEDA – “Me presidentin kemi debatuar që skuadra të jetë e fortë në fillim të kampionatit, të jetë më e fortë se në fund, pasi në ndeshjet e fundit të gjithë janë të fortë. Duhet të synojmë pikët maksimale gjithmonë, mendojmë çdo sekond për të fituar”. /abcnews.al