Ramazan Ndreu, trajneri i Kastriotit, sigurisht që nuk ndihet mirë kur sheh që skuadra e tij thyhet nga ekipi i vendit të fundit. Apolonia i mposhti për të dytën herë krutanët këtë sezon, ndërkohë që Ndreu në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha:
“Të them të vërtetën e kishim përgatitur ndeshjen me kujdes, pasi çështja ishte psikologjike. Nuk duhet të pësonim gol, do dilnim përpara porte. Menduam se e mundim shpejt dhe patëm probleme. Në mbrojtje ishim të pavendosur.
Pësuam dy gola, u munduam të reagojmë. Nuk mundëm, pati shumë tension. Kam pretendimet e mia për një penallti, sikurse edhe disa raste që nuk i zgjidhi drejt. Jo se ma humbi ndeshjen arbitri. Kishim 4-5 mungesa, aktivizuam të rinj që nuk e mbajnë dot peshën në ndeshje me tension”.
“Gara për mbijetesë? Kemi luajtur edhe në ndeshje të tjera me mungesa. Kishim probleme psikologjike. Me Laçin për shembull luajtëm mirë. Sot humbëm ndaj një Apolonie që nuk dihet nga shkon. Duhen lojtarë me eksperiencë, që ta marrin skuadrën për dore. Këto skuadra që kanë rënë luajnë pa presion, pa interes dhe të nxjerrin probleme”.
“Defektet kanë nisur në dhjetor, kemi formacion të fortë, jo stol. Iku Hussein që ishte xhol, po ashtu ka ikur. Penalltia? E tmerrshme. Është turp të mos e japësh. U them lojtarëve, mos gjuani kot penallti në stërvitje se nuk na japin. Kur do na e japin një penallti, ka 30 javë, nuk po e gjuajmë dot një. Është e tmerrshme. Ajo ishte volejboll”.
“Problemi është i yni, nuk jemi stabël. Në përgjithësi kemi luajtur me ekipet e lehta, sidomos me Apoloninë. Ne themi që e mundim, por në fushë është ndryshe. E vetmja punë që kam bërë është psikologjike dhe duhej vlerësim. Kam nënvizuar që ta mbajmë zero, jo të shthuremi. Pjesën e parë e dominuan ata. Lojtarët duhet ta kuptojnë që kur nuk e vlerëson një ndeshje humbet”, tha Ndreu. /abcnews.al