Kastrioti e mbylli në barazim 1-1 takimin e luajtur kundër Apolonisë në stadiumin e qytetit të Kamzës. Sebino Plaku ktheu në gol një penallti 5 minuta përpara fundit të ndeshjes, duke evituar humbjen e ekipit krutan.
Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu foli për Supersport pas sfidës së sotme, analizoi barazimin, deklaron se i frikësohej skuadrës fierake dhe vlerëson Sebino Plakun, autor i dy golave në kampionat për këtë sezon.
“E kisha deklaruar gjatë gjithë javës që duhet të kishim kujdes me Apoloninë, skuadër që na vuri pak në vështirësi. Ne kishim volum më të madh loje. Nëse do ishim më të kujdesshëm do të kishim marrë fitoren. Jam i kënaqur çfarë pashë në këtë fushë.
Mihana është një lojtar që futet nga brenda dhe mund të na hapte probleme. Apolonia ka një ekip shumë të mirë me çuna të rinj, të cilët të hapin probleme. Të jem i sinqertë prisja fitore, por edhe me një pikë jemi të kënaqur.
Plaku dhe Bardhi? Me Plakun jam shumë i kënaqur. Ky lojtar ka pasur një periudhë dëmtimi dhe është akoma në fazën e përmirësimit. Pres edhe më shumë nga ai, sepse ka kualitet. Bardhi është konfuz dhe i kam bërë të ditur se duhet të shkrihet me skuadrën. Shpresoj që nga java në javë të përmirësohemi, ne jemi një skuadër e krijuar rishtazi dhe presim të përmirësohemi“, theksoi Ndreu. /abcnews.al

