Ndotja e ajrit kërcënon shëndetin e popullsisë, IKSHP: Duhen marrë masa urgjente

schedule12:50 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 12:50 - 8 Dhjetor, 2019

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka alarmuar për rrezikun që po i kanoset popullsisë në vend si pasojë e ndotjes së pakontrolluar të ajrit në Kosovë, duke propozuar disa masa urgjente për përmirësimin e gjendjes së krijuar nga smogu.

Shkaktarë kryesorë të ndotjes në Kosovë janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonin e dimrit, automjetet e vjetëruara, trafiku i dendur si dhe djegja e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, thuhet në njoftimin e institutit.

Kjo situatë shqetësuese do të rëndohet edhe më shumë në ditët e ftohta që do të vijnë dhe me rënien e temperaturave kur pritet të rritet shkalla e ndotjes së ajrit si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jocilësore që po përdorin qytetarët, paralajmëron IKSHP.

Ky institut thekson se niveli alarmant i ndotjes në Kosovë çon drejt rritjes së numrit të sëmurëve kronikë me astmë bronkiale, rritjen e numrit të pacientëve me sëmundje kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjen e shkallës së vdekshmërisë.

IKSHP kërkon që urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet. Gjithashtu kërkohet heqja nga përdorimi i automjeteve të vjetra dhe atyre pa katalizatorë.

IKSHP thekson se inspektorët e mjedisit duhet të bëjnë kontrollin rigoroz të cilësisë të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët, të shtohet numri i autobusëve me karburant ekologjik në transport publik, të rriten sipërfaqet e gjelbërta në zona urbane dhe të matet ndotja e ajrit në pikat kyçe në Kosovë si dhe të bëhet publikimi ditor i të dhënave online./abcnews.al