Ndjekje në terren dhe aksione, Lleshaj flet për luftën ndaj kanabisit dhe paralajmëron efektivët

schedule14:31 - 2 Qershor, 2020

schedule 14:31 - 2 Qershor, 2020

Vetëm një ditë pas raportit të përbashkët të Interpol dhe Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe varësisë ndaj Drogave (EMCDDA), që theksoi se në Shqipëri, e cila është një prodhues i barit të kanabisit për tregjet europiane, kultivimi i kësaj bime pritet të rritet, teksa burimet për zbatimin e ligjit janë zhvendosur për të mundësuar zbatimin e masave kufizuese ndaj Covid-19, vjen reagimi i Ministrit te Brendshem, Sander Lleshaj.

Në një takim me drejtues të policisë vendore dhe të pushtetit vendor, Lleshaj theksoi se duhet të intensifikohet përpjekja në maksimum, pasi sipas tij, edhe risku rritet pasi lëvizja në vend është e garantuar dhe për këtë arsye duhet angazhim i plotë.

“Lufta kundër kanabisit është luftë e policisë së shtetit ndaj personave që kanë përgjegjësi për administrimin e territorit.

Theksoj me rëndësi të madhe detyrat që ka pushteti vendor, njësitë administrative, bashkitë për të kontrolluar dhe menaxhuar çdo pëllëmbë territori, puna duhet të fokusohet ndaj atyre që nuk ushtrojnë përgjegjësitë ligjore.

Policia nuk është për tu marrë me bimët por me personat që kanë përgjegjësi mbi territorin. Flota e helikopterëve, të bazuar mbi informacione paraprake, dhe mbi monitorime të orientuara paraprakisht nga informacioni të mbulojë sipërfaqet që janë me risk.

Sipas informacioneve që kam janë zonat me risk disa qarqe, si ajo e Gjirokastrës, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, ku kërkohet përqendrim vëmendje maksimale, pa lënë në heshtje edhe qarqet e tjera, Lezha, Berati, Elbasani, tentativa për kultivim ka në shumë qarqe të vendit dhe përgjegjësia e secilit është lufta në tre fronte, vënia para përgjegjësisë e administratorëve, zhvillimi i operacioneve policore, të monitorimit dhe goditjes në gjithë vendet ku risku është i lartë dhe e treta ballafaqimi”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!