Ndikimi i zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani mbi ndihmën për Kievin

schedule15:47 - 13 Nëntor, 2024

schedule 15:47 - 13 Nëntor, 2024

Partitë kryesore politike në Gjermani janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në muajin shkurt, pas rënies së koalicionit qeveritar në fillim të këtij muaji.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, këto zgjedhje mund të kenë ndikim më të madh tek ndihma ushtarake për Ukrainën, ndërsa Evropa po përgatitet për një mandat të dytë të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump.

Gjermanët do t’u drejtohen kutive të votimit më 23 shkurt, pas rënies së koalicionit qeveritar tre-partiak javën e kaluar. Kancelari Olaf Scholz ka thënë se ai do të jetë sërish kandidat i socialdemokratëve.

Por partia kryesore opozitare e kristiano-demokratëve ka një epërsi të madhe në sondazhe. Udhëheqësi i tyre, Friedrich Merz thotë se zgjedhjet duhet të zhvilllohen sa më parë.

“Më lejoni t’ju kujtoj se nuk kemi buxhet federal për vitin 2025”, tha ai.

Koalicioni qeverisës tre-partiak u rrëzua pas mosmarrëveshjeve mbi rritjen e borxhit për financimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, duke përfshirë ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Berlini është donatori i dytë më i madh i ndihmave ushtarake për Kievin pas Shteteve të Bashkuara, duke dhuruar rreth 11 miliardë dollarë që nga fillimi i sulmit rus në shkurt të vitit 2022. Qeveria në largim kishte planifikuar shkurtimin e ndihmës në pak më shumë se katër miliardë dollarë vitin e ardhshëm.

“Është një kohë e keqe për Ukrainën dhe Evropën. Gjermania do të jetë e preokupuar me veten për disa muaj, para se të kemi një qeveri të re”, thotë Mattia Nelles nga byroja gjermano-ukrainase.

Zgjedhjet në Gjermani mbahen vetëm disa javë pas inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump.

“Skenari më i keq që frikëson shumë njerëz në Berlin dhe Kiev është një administratë e re Trump që merr pushtetin në janar, duke shkurtuar, ose duke i dhënë fund ndihmës për Ukrainën dhe duke e detyruar qeverinë gjermane, qeverinë e dobësuar të Scholzit me parlamentin aktual të rrisë fondet për Ukrainën”, thotë zoti Nelles.

I paqartë është edhe ndikimi që presidenca e ardhshme e zotit Trump do të ketë mbi sigurinë evropiane, duke përfshirë planet për trupat dhe armët amerikane, si raketat me rreze të gjatë Tomahawk, thotë analistja Marina Miron.

“Një gjë tjetër që mund të anulohet është vendosja e sistemit Tomahawk në Gjermani. Pra, mund të kemi një situatë ku Trumpi ndjek një axhendë anti-globaliste, duke nxitur vendet e NATO-s të investojnë më shumë për mbrojtjen”, thotë ekspertja Miron nga Kolegji ‘King’ në Londër.

Evropa ka ngrirë rreth 200 miliardë dollarë të pasurive ruse, pas sulmit të Moskës kundër Ukrainës. Të ardhurat nga pasurit e ngrira po përdoren për të ndihmuar financimin e armëve për Kievin. Disa ekspertë thonë se është koha që këto pasuri të sekuestrohen plotësisht.

“Evropa ka në kasafortë200 miliardë dollarë nga pasuritë e ngrira ruse. Mendoj se administrata e re Trump do t’i shtyjë evropianët të shkojnë më tej. Ky është një lajm i mirëpritur nga pala ukrainase, jo vetëm për marrjen e huave dhe kredive përmes pasurive të ngrira ruse, por për konfiskimin e vetë pasurive. Kjo është diçka që mbështetet nga shumë njerëz në Gjermani”, thotë analisti Nelles.

Kancelari Scholz udhëhoqi përpjekjet e Gjermanisë për t’i dhënë fund varësisë nga energjia e lirë ruse. Por analistët thonë se kjo ka rritur inflacionin dhe ka dëmtuar besimin tek ekonomia më e madhe në Evropë.

Në të njëjtën kohë, analistët thonë se Gjermania po përballet me pasojat e disa dekadave me investime të ulëta në forcat e saj të armatosura, një çështje që duhet të trajtohet nga qeveria e ardhshme./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!