Ekspertja Teuta Nunaj thotë se ekonomia globale arriti një stabilitet në vitin 2024, pas disa vitesh e prekur nga dy kriza të mëdha, siç ishte pandemia dhe lufta që nisi në Ukrainë. Në një intervistë për “Money Report”, Nunaj theksoi se ekonomia globale ka treguar se është e ndjeshme ndaj riskut politik.
Sipas saj, edhe vitin e ardhshëm, ekonomia globale pritet që të ketë stabilitet.
“Nëse flasim për 5 vitet e fundit, aktualisht ekonomia globale, pjesa e post pandemisë, është periudha në të cilën 2024 ka arritur një lloj stabiliteti dhe kjo vjen edhe pas luftës Rusi-Ukrainë. Dy kriza që dhanë efekte të ndjeshme në tregun global. këto sollën që zinxhiri i furnizimit të cenohej. Globalizmi rriti mundësinë që ky zinxhir të zgjerohej përmes vendeve dhe ofroi lehtësira përmes tarifave doganore të ulëta dhe hapjes së tregjeve për të gjetur lëndën e parë sa më të pranueshëm. Kjo bëri që vetë realizimi i produktit final të jetë i ndërlidhur me lëndët e para nga shumë vende. Kur kaluam këto dy kriza kaq të mëdha, atëherë këto tregje u tronditën. 2024 ishte viti që tregoi stabilitetin e kësaj ekonomie pas këtyre krizave dhe efektet e masave që ndërmorën si qeveri dhe bankat qendrore në secilën nga vendet, që luftuan inflacionin e lartë përmes normave të interesit. 2024 arriti stabilitet, për të parashikuar 2025 si një vit sërish stabël por historiku i këtyre viteve tregoi se kemi ekonomia globale të ndjeshme nga risku politik.”, u shpreh ajo.
A ka rrezik për një krizë të re çmimesh? Ekspertja thotë se nëse do të ketë vendimmarrje politike të forta, atëherë mund të ketë ndikime në ekonomitë e vendeve të BE, e cila është më e ndjeshme se e SHBA.
“Ekonomia e vendeve të BE është një ekonomi që ka nevojë për investime të mëdha. Është një ekonomi që është disi mbrapa në zhvillimin teknologjik në raport me SHBA dhe Kinën dhe ka një problem që lidhet me konsumin. Kjo ulje e kosnumit përçon në këtë rast të kenë probleme të thella për vendet e punës. Volswagen po parashikon reduktim të punës. Do të tronditet tregu nëse do të kemi vendimarrje politike dhe BE është më pak i mbrojtur dhe ka më tepër nevojë për qëndrueshmëri dhe investime. Nëse do të ketë një veprim të tillë, efekti në BE do të jenë më të ndjeshme sesa në SHBA.”, u shpreh ekspertja./abcnews.al