Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, India është tanimë vendi më i populluar në botë, duke eklipsuar Kinën popullsia e së cilës po plaket. Ky moment historik shtron pyetjen nëse India mund të përsërisë suksesin ekonomik falë së cilit Kina ka siguruar një rol qendror në ekonominë botërore dhe është bërë një fuqi udhëheqëse globale.
Deri tani Kina ka pasur popullsinë më të madhe në botë që kur OKB-ja filloi ta regjistronte atë në vitin 1950.
Si Kina ashtu edhe India kanë më shumë se 1.4 miliardë banorë dhe së bashku, ato përbëjnë më shumë se një të tretën e 8 miliardë njerëzve në botë.
“Arsyeja e thjeshtë është se niveli i lindjeve është ende dukshëm më i lartë se shkalla e vdekjeve. Pra, popullsia e Indisë në këtë moment po rritet ndoshta më pak se 1% në vit, ndërsa popullsia e Kinës po rritet me rreth 0.2% në vit. Popullsia e Kinës do të fillojë të zvogëlohet me kalimin e kohës, ndërsa popullsia e Indisë ndoshta do të vazhdojë të rritet deri diku nga mesi i shekullit”, thotë Tim Dyson, profesor emeritus i studimeve të popullsisë në Universitetin Ekonomik të Londrës.
Një sërë studimesh dhe llogaritjesh kishin parashikuar se India do t’ia kalonte Kinës në prill.
Jo shumë kohë më parë, India nuk pritej të bëhej vendi më i populluar deri në fund të kësaj dekade. Por ritmi është përshpejtuar nga një rënie në shkallën e lindshmërisë në Kinë.
Kina ka një popullsi në plakje me ngadalësim të lindjeve megjithëse qeveria u tërhoq nga politika e një fëmije për familje shtatë vjet më parë, dhe vetëm dy vjet më parë, tha se çiftet mund të kishin tre fëmijë.
“Në vitet 1970, Kina kaloi nga një lindshmëri e lartë, afro 6-5 lindje për grua, në lindshmëri të ulët, rreth dy lindje për grua. Kjo ndodhi në hapësirën e më pak se një dekade, diçka mjaft e jashtëzakonshme. India nga ana tjetër, në fillim të viteve 1970, kishte një normë të përgjithshme të lindshmërisë prej gjashtë lindjesh për grua. Vetëm tani ajo i është afruar shifrës dy lindje për grua”, thotë prof. Dyson.
Ai shton se që tani deri në mes të shekullit, popullsia e Indisë ka gjasa të rritet me 200 milionë njerëz të tjerë.
“Rritja e popullsisë kudo që të jetë, ka implikime për botën. Kjo sigurisht vlen për Kinën, ku ka pasur rritje të konsiderueshme të popullsisë pavarësisht përpjekjeve të mëdha për të ulur shkallën e lindjeve. Në rastin e Indisë, për fat të mirë, standardet e jetesës do të vazhdojnë të përmirësohen. Por po ashtu edhe çlirimi i karbonit për person”, thotë prof. Dyson.
Në Britani, më shumë se 1.8 milion vetë janë të përkatësisë etnike indiane, sipas një regjistrimi të popullsisë të vitit 2021.
Në Tempullin hindu Neasden në Londër, një vullnetare thotë se nuk janë statistikat më të rëndësishmet, por kontributi i popullsisë në rritje jo vetëm në Indi, por në shkallë globale.
“Për shembull, unë kam jetuar këtu, kam fëmijë që lindin dhe rriten këtu dhe mendoj se të qenit një pjesëtar i vlefshëm i shoqërisë dhe kontributi që jap, është gjëja më e rëndësishme”, thotë anëtarja e Tempullit, Nita Patel.
Të kesh popullsinë më të madhe në botë, nuk është thjesht diçka për t’u krenuar. Një gjë e tillë ka pasoja sociale dhe ekonomike. Në Indi, kjo do të thotë një fuqi punëtore në rritje dhe zhvillim të aktivitetit ekonomik.
Në Kinë, kjo do të thotë më pak të rritur në moshë pune, të aftë për të mbështetur një popullsi në plakje./VOA