Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Ndikimi i Covid-19 në shëndetin e veshkave: Si të veproni

schedule15:36 - 16 Nëntor, 2020

schedule 15:36 - 16 Nëntor, 2020

Dr.Elda Çule*

Veshkat janë ndër organet më të rëndësishme në trupin e njeriut pasi kryejnë funksione jetësore të tilla si; detoksifikimi i gjakut dhe filtrimi i toksinave apo mbetjeve nëpërmjet urinës, eliminimi i ujit të tepërt apo dhe depozitimi i tij kur është e nevojshme, stabilizimi i niveleve të fosfatit, kalçiumit dhe mineraleve të tjera në organizëm etj. Prandaj, është thelbësore që ashtu si për çdo organ tjetër të kujdesemi edhe për mirëfunksionimin tyre.

COVID 19, kjo sëmundje infektive që shkaktohet nga koronavirusi dhe që ka çuar në pandemi globale dihet që më shumti prek dhe dëmton mushkëritë. Por ajo ç’ka vihet re me rritjen e numrit të të prekurve, çdo ditë e më shumë mjekët dhe studiuesit po zbulojnë se ky koronavirus mund të shkaktojë dëme të rënda dhe të qëndrueshme edhe në organe të tjera përfshirë zemrën dhe veshkat.



Bazuar në statistikat e deritanishme është vënë re që pacientët që vuajnë nga format më të rënda të COVID 19 po tregojnë shenja të dëmtimit të veshkave dhe ajo që vlen të nënvizohet është fakti që këto shenja për fat të keq janë vënë re edhe te persona që nuk kanë patur probleme me veshkat përpara se të prekeshin nga ky virus. Por gjithësesi pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet e veshkave dhe që shfaqen më të rrezikuar për t’u prekur nga format më të rëndë të COVID 19 janë ata që kanë kryer transplant të veshkave apo edhe ata të cilët trajtohen me Hemodializë, kjo për faktin që kjo kategori pacientësh duhet të kryejë Hemodializë 3 herë në javë duke bërë të pamundur vetë-izolimin e tyre dhe më të ekspozuar ndaj këtij virusi.

Shenjat që tregojnë probleme me veshkat te pacientët me COVID 19 përfshijnë nivele të larta të proteinave në urinë dhe vlera jo normale në gjak të parametrave të funksionit renal.

Dëmtimi i veshkave si pasojë e COVID 19 është një shenjë serioze dhe që duhet vlerësuar maksimalisht. Kjo për faktin se sistemet e organeve si zemra, mushkëritë, mëlçia dhe veshkat mbështeten dhe mbështesin funksionet e njëra-tjetrës që do të thotë që në rast se koronavirusi shkakton dëme në një zonë edhe pjesa tjetër mund të jetë në rrezik. Funksionet thelbësore të veshkave kanë ndikim në zemër, mushkëri dhe sisteme të tjera të organizmit. Kjo është edhe arsyeja pse mjekët vërejnë se dëmtimi i funksionit të veshkave si pasojë e COVID 19 është një shenjë e mundshme paralajmëruese të stadit të sëmundjes që mund të rezultojë deri edhe në fatale.

Pacientët me dëmtim të veshkave, si pasojë e COVID 19, duhet të kenë kujdes dhe të ndiqen rregullisht nga mjekët specialistë të fushës deri sa të jenë të sigurt që funksioni I veshkave është kthyer në normalitet, sepse dëmtimi i vazhdueshëm i veshkave dhe i patrajtuar në mënyrën e duhur

mund të çojë deri në dializë apo terapi të tjera pas shërimit nga COVID 19. Ndërsa për pacientët të cilët vuajnë nga sëmundje kronike të veshkave është shumë e rëndësishme që të mbrohen maksimalisht me qëllim që të evitojnë për aq kohë sat ë jetë e mundur infektimi nga ky koronavirus.

Pra në asnjë mënyrë mos anashkaloni apo të bëheni mjekë të vetes, është shumë e rëndësishme që gjithmonë të konsultoheni dhe të ndiqni në mënyrë rigoroze këshillat dhe mjekimet e dhëna nga mjekët specialistë.

Ndërkohë, përsa i përket të gjithë pacientëve me sëmundje renale, të cilët janë prekur edhe nga Covid 19, duhet që të konsultohen me mjekun e tyre nefrolog për të përcaktuar dozat e duhura të medikamenteve që përshkruhen në këtë rast.

*Nefrologe/Spitali Hygeia

Kontakto: 04 23 90 000

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!